20/07/2024

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, shprehu shqetësim për përkeqësimin e situatës në Rripin e Gazës dhe përsëriti kërkesën e tij për një armëpushim.

“Është koha që të kemi një armëpushim humanitar përpara se të ndodhë një tragjedi gjigante në Gaza, nëse ndodh edhe në Rafah i njëjti lloj intensiteti i operacioneve ushtarake që kemi parë në Khan Younis dhe në pjesë të tjera të territorit të Gazës”, tha Guterres në një konferencë për media në selinë e OKB-së në New York.

Guterres tha se është i shqetësuar për raportimet se ushtria izraelite synon të fokusohet në Rafah. “Gjysma e popullsisë së Gazës tani është e grumbulluar në Rafah. Ata nuk kanë ku të shkojnë”, tha ai.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, tha të hënën se objektivi i ardhshëm i ushtrisë në Gaza do të jetë Rafah dhe pretendoi se është bastioni i fundit i mbetur i grupit palestinez, Hamas.

Guterres theksoi se në Gaza, situata “vazhdon të bëhet keq e më keq”. “Përveç vdekjes dhe shkatërrimit nga operacionet ushtarake, uria dhe sëmundjet po godasin palestinezët në Gaza”, shtoi ai.

Guterres tha se një nga autokolonat e OKB-së u dëmtua nga artileria detare izraelite në fillim të kësaj jave dhe vetëm 10 nga 61 autokolona të planifikuara të ndihmës arritën në destinacionin e tyre në janar.

“Le të jemi të qartë: Mohimi i qasjes humanitare do të thotë mohim i ndihmës humanitare për civilët. Ushqim dhe ujë për një popullsi të dëshpëruar. Medikamente dhe karburant për spitalet”, tha ai.

Në lidhje me vendimin e përkohshme të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), Guterres tha se ai mbështet plotësisht vendimet e gjykatës së OKB-së.

“Ne mendojmë se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është subjekti i duhur për t’u prononcuar për këto çështje. Ne i mbështesim plotësisht vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe shprehim qartë se të gjitha ato vendime duhet të zbatohen”, tha ai, duke shtuar:

“Dhe kështu, është absolutisht thelbësore që të gjitha vendimet të zbatohen. Natyrisht, unë kam besim të plotë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë që të jetë në gjendje të veprojë nëse ato vendime nuk zbatohen siç duhet”.

Muajin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë lëshoi një urdhër të përkohshëm duke kërkuar nga Izraeli të ndalojë pengimin e dërgesave të ndihmave në Gaza dhe të përmirësojë situatën humanitare në enklavë, pas një padie nga Afrika e Jugut që akuzon Tel Avivin për kryerjen e gjenocidit.

Izraeli e ka sulmuar Gazën që nga sulmi ndërkufitar nga Hamasi në tetor, gjatë të cilit Tel Avivi tha se janë vrarë afro 1200 njerëz.

Ndërkohë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, të paktën 27.840 palestinezë janë vrarë që atëherë dhe 67.317 të tjerë janë plagosur në sulmin izraelit.