13/04/2024

Gjatë ditës së sotme pritet që Hungaria të ratifikojë pranimin e Suedisë në NATO, duke larguar kështu pengesën e fundit përpara hapit historik të shtetit nordik neutral.

Votimi i parlamentit të Hungarisë vjen pas vizitës së kryeministrit suedez, Ulf Kristersson, gjatë së cilës dy vendet kanë nënshkruar një marrëveshje armësh.

Stokholmi braktisi politikën e tij neutrale për një siguri më të madhe brenda NATO-s menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.

Me Suedinë që e ndjek Finlandën duke u bërë anëtarja e 32-të e aleancës, po prishen planet e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili në mënyrë të vazhdueshme ka kundërshtuar zgjerimin e NATO-s.

Ndërsa Finlanda iu bashkua aleancës vitin e kaluar, Suedia u mbajt në pritje nga Turqia dhe Hungaria të cilat ngritën kundërshtime, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.

Turqia fillimisht e refuzoi ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë duke kërkuar veprime më të ashpra kundër militantëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit. Por, Suedia ndryshoi ligjet dhe zbuti rregullat mbi shitjen e armëve për të “qetësuar” Turqinë.

Pas nënshkrimit të ratifikimit nga Turqia, Suedia “po zvarritej” nga shteti hungarez, i cili duket se tani po i jep fund pengesës.

Bashkimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO llogaritet të jetë zgjerimi më domethënës i aleancës që nga zhvendosja e saj në Evropën Lindore gjatë viteve 1990.

Ndërsa Suedia ka rritur bashkëpunimin me aleancën ushtarake në dekadat e fundit duke kontribuar në operacione të ndryshme, anëtarësimi i saj thuhet se do ta thjeshtojë mbrojtjen në krahun verior.

Gjithashtu, shteti suedez do t’i sjell NATO-s burime si nëndetëset më të avancuara të përshtatura për kushtet e Detit Baltik, dhe një flotë të konsiderueshme aeroplanësh luftarak Gripen. /Telegrafi/