– Vetë reagimi në studio nga moderatori dhe nga kyçja e papritur me skype e drejtorit sikur të ishte bërë hataja, me gjasë është rezultat i një atmosfere apo më saktë, e një teze që po përdor VMRO-DPMNE-ja dhe disa parti më të vogla se interesat maqedonase po rrezikohen nga shqiptarët!
Shkruan: indeks.mk
Shumëkush ka mbetur jo vetëm I habitur por dhe e shokuar nga “përzënia” e Ismet Ramadanit nga studioja e TV Kanal 5-shit, një rast i paprecedent i gazetarisë te ne. Sepse deri tash kemi pasur raste të ikjes nga studioja të ndonjë mysafiri, i pakënaqur me bashkëbiseduesit e tij, por jo dhe kështu si drejtori i këtij televizioni, Ivan Mirçevski, i cili nuk duroi “shfryrjet nacionaliste” të bashkëbiseduesit shqiptar. Ose më saktë, nuk i duroi vërejtjet e Ramadanit se në këtë TV u janë lejuar lloj-lloj nacionalisti të shprehet, kurse qëndrimet e tij t’i marrin për të tilla.
Uolteri do t’i jenë trazuar eshtrat në varr, sepse dikush po ia nxit vnerin dhe po ia shkel parimin e lirisë së shprehjes që ai e ka koncipuar: unë mund të mos pajtohem me ty, por gjer në fund do të luftoj ta thuash atë që ti mendon!
Nëse e marrim thelbin e incidentit, nuk mund t’i ikësh se këtu ka një shprehje mosdurimi për të dëgjuar mendimin e një shqiptari, i cili ka të drejtë ta thotë në emër të pluralizmit, sepse për këtë dhe është ftuar në studio. Nëse kanë pritur që ai t’i bëjë “amin!” gjithë asaj që do të thoshin të tjerët, atëherë e kanë gabuar qëllimin nikoqirët, e jo mysafiri. Kurse ajo që tha mysafiri, është larg “subverzivitetit” që e kanë shprehur po në të njëjtën studio shumë mysafirë të tjerë të mbarsur me lloj-lloj animoziteti. Ish-deputeti Ismet Ramadani është lule kundrejt tyre.
Vetë reagimi në studio nga moderatori dhe nga kyçja e papritur me skype e drejtorit sikur të ishte bërë hataja, me gjasë është rezultat i një atmosfere apo më saktë, e një teze që po përdor VMRO-DPMNE-ja dhe disa parti më të vogla, sidomos kohëve të fundit, se interesat maqedonase po rrezikohen nga shqiptarët! E kanë si argument gjithë këtë që po ndodh në procesin e eurointegrimeve dhe ndryshimeve kushtetuese, me të cilat, sipas tyre, shiten interesat maqedonase nga shqiptarët!
Nuk është kjo ajo teza e viteve 90-të se shqiptarët kanë qëllime të tjera dhe nuk e shikojnë perspektivën në këtë shtet, por diçka që pas mbylljes së shumë çështjeve të hapura dhe relaksimit evident të marrëdhënieve të brendshme, “shkalla e re” e rrezikut, na qenka te një ministër i punëve të jashtme shqiptar, te ministri i financave shqiptarë,te kryetari i parlamentit shqiptarë dhe shumë shqiptarë në institucione, ku “po vendosin” për fatin e maqedonasve ose Maqedonisë!
Nëse analizohet kjo tezë, ajo përmban ndasinë dhe diskriminimin, sepse, këtu në Maqedoni, edhe pse shqiptarët janë qytetarë të barabartë, për disa çështje, e drejta ekskluzive u dashka t’u takojë vetëm maqedonasve. Dmth., sipas tyre, nuk mund të ketë në poste aq të larta si në krye të parlamentit shqiptar, ose mozomakeq, ministri aktual i punëve të jashtme të jetë shqiptar, edhe pse nëse analizohet puna e tij, është ndër më aktivët që ka pasur Maqedonia. Nëse deri tash qarqe të caktuara për barazinë e shqiptarëve në institucione thirreshin në “meritokraci”, demek se nuk ka pasur kuadro të afta, tash kur e shohin se edhe shqiptarët mund t’i udhëheqin këto institucione specifike me të njëjtin sukses, u pengon përkatësia e tyre etnike shqiptare!
Lojërat politike janë pjesë e pluralizmit dhe shpesh nuk zgjidhen mjete. Për këtë shfrytëzohen agjenci marketingu për t’i mësuar partitë se si të veprojnë dhe për fat të keq, mungesa e invencës së tyre bën që këto parti të krijojnë teza nebuloze kur e dijnë se ato ‘u shiten në Pazar’! VMRO-së i duket se pin ujë kur akuzon një ministër apo një BDI se i ka uzurpuar interesat nacionale të maqedonasve dhe ajo vetë vendosë për këtë. Kemi shkruar edhe më parë se kjo nuk është aspak e vërtetë, sepse këto çështje i takojnë gjithë kreut shtetëror, partive në pushtet, pra, prej Qeverisë, Parlamentit e gjer te kryetari i shtetit.
Dhe kur i mëshon këtij teli gjithë kohën, të duket radikal një Ismet Ramadani, i cili gjithë karrierën politike, siç e cekën vetë disa intelektualë maqedonas dhe shqiptarë, ka qenë i moderuar, ndryshe nga shumë të tjerë që sot e kësaj dite vazhdojnë të mbijetojnë me mendësinë e tyre përjashtuese. Mjafton të shikohet se kush u rreshtua me veprimin “patriotik” të Ivan Mirçevskit, do ta kemi të qartë.