11/12/2024

Incidenti i armatosur në fshatin Banjskë midis grupit të armatosur e të uniformuar serb dhe policisë kosovare, ka acaruar tej mase marrëdhëniet midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe një ditë pas, gjendja duket e qetë, por në anën tjetër, pos aspekteve tjera, ka ngritur dilemat nëse një konflikt i përshkallëzuar mund të ketë ndikim dhe pasoja edhe në Maqedoninë e Veriut dhe rajonin.

Njohësi i rrethanave politike, Nano Ruzhin, në një prononcim për indeks.mk ka thënë se rreziku ekziston, por sipas tij, gjasat janë realisht minimale që Maqedonia të preket nga një gjë e tillë, sepse është anëtare e Aleancës Veri Atlantike (NATO-s).

“Mendoj se çdo stres më i madh për një vend nga Ballkani Perëndimor, veçanërisht ata me të cilët Republika e Maqedonisë së Veriut ka kufij të drejtpërdrejtë, mund të shkaktojë një lloj destabilizimi, çrregullimi etj. Por duke pasur parasysh se jemi një vend anëtar i Aleancës, (NATO-s) mendoj se në fund të fundit, përveç disa ngjarjeve episodike në të cilat edhe unë edhe vetë nuk i besoj, nuk përjashtohet asnjëherë”, deklaroi fillimisht Ruzhin.

Ai është i mendimit se edhe ngjarja e djeshme që ndodhi në veri të Republikës së Kosovës me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve do të tejkalohet.

“Mund të thuhet se ka dhe nuk ka rrezik për përhapje të konfliktit, në fakt ai konflikt nuk ekziston dhe mendoj se do të tejkalohet me sukses me pjesëmarrjen e bashkësisë ndërkombëtare”, përfundoi Ruzhin.

Ndryshe, nga konflikti mes grupeve kriminale serbe dhe policisë së Kosovës ka pasur edhe jetë të humbura. Si rrjedhojë, një zyrtar i policisë së Kosovës ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur, kurse nga grupi tjetër, sipas raportimeve të deritanishme jetën e kanë humbur 3 pjesëtarë të grupit të armatosur serb dhe disa janë të arrestuar nga policia e Kosovës.