01/12/2024

Nga Flogert Muça/

“Arben Taravari shkarkohet nga kryetar i Aleancës për Shqiptarët, pas krizës që shkaktoi në parti duke shkelur statutin e saj.” Ky ishte lajmi që prodhoi pasditja e sotme nga Maqedonia e Veriut, ku në datën 8 Maj do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme.

Në fakt, arsyet pse Kuvendi Qendror i kësaj partie e shkarkoi sot Taravarin janë krejt të qarta edhe për syrin e jashtëm të kujtdo që do të lexojë faktet. Dhe faktet i dha vetë ai sot në një intervistë të dhënë për Thimi Samarxhiun në Euronews Albania, ku Taravari kishte disa përplasje të forta logjike në deklaratat që bëri, të cilat e nxirrnin atë përçarës dhe politikan që nuk kalon dot përtej ‘intuitës personale’ siç ai vetë u shpreh.

Arsyet pse Taravari nuk mund të marrë zvarrë ASH-në janë disa, por unë po rëndis katër prej tyre që i tha sot më gojën e tij në intervistë.

Së pari, ishte narrativa që ai dhe partitë e tjera opozitare do të kishin në fushatë. Taravari theksonte sot se fabula më të cilën ata do të dalin përpara shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut do të jetë: “Ne do të sjellim rrotacionin e shqiptarëve në pushtet’’. Pra, sipas tij, lufta politike nuk do të jetë me partitë maqedonase apo pro ruse, por shqiptarët kundër shqiptarëve.

Sipas logjikës dhe fjalëve të Taravarit, është më mirë që shqiptarët të dalin të përçarë në zgjedhje dhe të përplasen me njëri tjetrin, sesa të dalin të bashkuar dhe të jenë nesër faktorë të padiskutueshëm të ndërtimit të qeverisë së re.

Së dyti, Taravari theksonte se BDI është pro euro-atlantike, por nga ana tjetër theksonte se ai nuk do të bëjë koalicion me asnjë parti maqedonase nesë nuk është pro euro-atlantike. Ateherë pyetja që lind është: Pse nuk bashkohet ASH me BDI vizioni i të cilës është Europa dhe SHBA, por hedh sytë nga maqedonasit? Pse nuk sheh se sa shumë gjëra janë në interes të shqiptarëve por sheh vetëm interesin e tij personal ? Në fakt këto janë pyetje retorike, sepse përgjigja është e qartë.

Së treti, ai theksoi se ka patur negociata më BDI për të dalë të bashkuar në zgjedhje, por në fund intuita e tij i tha që të mos dilnin bashkë. Qesharake, por e vertëtë!

Së katërti, Taravari sot theksoi se nuk janë të rëndësishëm numrat, por morali (perifrazoj). Si mundet një politikan të thotë që në kushtet që janë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, se numrat nuk kanë rëndësi, ku kanë qenë numrat që kanë diktuar qeverinë e sotme me kryeministrin e parë shqiptar. Si mundet të thuhet që thuhet që numrat nuk kanë rëndësi, kur numrat kanë mundësuar që shqiptarët të jenë faktor i padiskutueshëm shtetformues në këtë shtet?

Për të mos u zgjatur në detaje, e gjithë narrativa e Taravarit është e bazuar në faktin se ASH dhe disa parti të tjera të vogla shqiptare që frymëzohen nga Albin Kurti, duhet të dalin dhe të bëjnë fushatë kundër shqiptarëve të tjerë dhe BDI-së e cila është partia më e madhe shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Pavarsisht se kjo u shërben maqedonasve dhe interesave jo shqiptare, pavarsisht se kjo dëmton dhe përçan votën dhe fuqinë e shqiptarëve, për Taravarin ka më shumë rëndësi intuita e tij sesa interesi kombëtar.

Ka shumë arsye dhe fakte për këtë qëndrim të tijin, por mbeten të trajtohen në vazhdim, sepse absurdi sapo ka filluar!