14/04/2024

Ligjet për katër investimet strategjike janë rikthyer sot në procedurë parlamentare, por pa përfaqësues të BDI-së.

Përfaqësues të qeverisë së re janë zëvendëskryeministri Fatmir Bitiqi dhe ministrja e Mjedisit, Kaja Shukova.

Kjo vjen pasi qeveria në seancën e djeshme vendosi tërheqjen e ligjeve për katër investimet. Për ta, deri më tani përfaqësues të qeverisë ishin ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe kryeministri i atëhershëm Dimitar Kovaçevski, ndërsa letrën kuvendit, në emër të qeverisë, e ka dërguar zëvendëskryeministri Artan Grubi.

Tashmë ligjet janë dërguar me nënshkrimin e Bitiqit dhe në mesin e përfaqësuesve të qeverisë nuk është kryeministri aktual Talat Xhaferi. Në të dyja rastet propozuesi i ligjeve është qeveria.

Kjo do të thotë se procedura fillon nga fillimi, fillimisht në seancë plenare të miratohet domosdoshmëria e mbajtjes së tyre dhe më pas të diskutohet në komisionin për çështje ekonomike.

Ligjet ishin në Kuvend muajin e kaluar dhe që atëherë Bekteshi ka thënë publikisht se ka rezerva për tekstin e ligjeve.

Zëvendëskryeministri Bitiqi tha sot se në versionet aktuale janë bërë ndërhyrje në vetë kontratat dhe në dy nga ligjet janë fshirë nene të caktuara për të cilat Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës kishte indikacione.

Ai saktësoi se ka pasur ndërhyrje në ligjet e “Mytilinios” dhe “AIM Green Tech” dhe në kontratat për të katër investimet.

Pas shpalljes për investitorë strategjikë, i cili zgjati për një vit të tërë, qeveria vendosi t’i jepte një status të tillë katër kompanive të huaja.

Ajo franceze “Ostro Solar”, greke “Mithylineos”, bullgare “HEK Solar” dhe belge “AIM Green Tech”.

Të gjithë, përveç këtij të fundit, kanë përvojë në projekte energjetike, në disa vende të botës.

BIRN zbuloi javën e kaluar se pas “AIM Green Tech” qëndron kompania e një konsulli nderi të Maqedonisë në Belgjikë, i cili është fillestar në biznesin e energjisë elektrike.

Qeveria tha se ky është një biznesmen i afirmuar, i cili deri më tani ka sjellë investime në vlerë prej 40 milionë eurosh dhe se janë të bindur se edhe pa përvojë në këtë fushë, kjo kompani do të realizojë atë që është premtuar.

Pronari, Rayes Lemmens, megjithatë, këmbëngul se pozicioni i tij si konsull nderi nuk i dha atij një pozicion preferencial në përzgjedhjen e një investitori strategjik.