Mos ja shiko gunën, po shihja punën!
Dikush me zell përpiqet të bëjë punë të mëdha e të lë gjurmë me vepra, dikush si ai brumbulli që gjithë kohën bën zhurmë derisa milingona mbledh ushqim për dimër…
Kështu thonë urtësitë e përrallave dhe fjalëve të urta popullore, që shumë mire mund t’u përshtaten situatave të ditëve tona, duke përfshirë edhe politike.
Këto ditë, në disa lokacione të Shkupit, në sheshet Skënderbeu dhe Maqedonia dhe Qendrën Capital Moll, (prej 17 deri më 30 tetor) që të gjitha në Shkup, është destinacioni i radhës i Kompanisë Bechtel&Enka ku prej 17 deri më 30 tetor, organizohen takimet informative ku kandidatët e interesuar mund të paraqiten për punësim.
Siç dihet, qëllimi i këtyre aktiviteteve që më parë janë organizuar në disa qytete, është angazhimi i profileve të ndryshme për realizimin e projektit Korridori 8 dhe 10D. Për këtë projekt insfrastrukturor thuhet se është me i madhi në në historinë më të re të Maqedonisë dhe për shkak të seriozitetit të tij, është angazhuar për ta realizuar një kompani serioze. Bechtel&Enka. Tash kjo kompani është duke kryer me të shpejtë përgatitjet për ecurinë e mbarë të punëve, ndaj dhe i organizon këto fushata të punësimit, ku do të angazhohen më shumë se 2000 punëtorë.
Vetë projekti është politizuar mjaft nga ana e opozitës, duke kërkuar, ose më saktë, duke supozuar gjëra inkriminuese, ende pa filluar realizimi. Mirëpo, kohëve të fundit sikur ka mbetur pa fjalë dhe nuk ia dëgjojmë zërin, mbase duke parë se gjërat nuk dalin ashtu si i paraqet ajo para publikut.
Fshati që shihet nuk do kallauz, thotë populli, ndaj dhe opozita jo se janë lodhur duke kritikuar, por se kanë mbetur vërtet të “çarmatosur” nga serioziteti se si po venë punët. Ndoshta edhe të vetëdijesuar se nuk mund të përfitohet politikisht duke kritikuar një projekt i cili është në interes të përgjithshëm, dobinë e së cilit do ta gëzojnë të gjithë qytetarët.
Që agjenda e paraparë të ecë me sukses, përkujdeset nënkryetari i parë i Qeverisë, Artan Grubi, vazhdon të japë mbështetjen institucionale këtyre korridoreve. Ai para pak ditësh, u apeloi të interesuarve që të vizitojnë vendtakimet e prezantimit të kompanisë Bechel&Enka që të informohen rreth mundësive dhe të aplikojnë duke përfituar në aspektin profesional, duke u bërë kontribues direktë në realizimin e projektit më të madh infrastrukturor në historinë e vendit.
Gatishmëria dhe vendosmëria e Qeverisë për ta mbështetur dhe serioziteti i kompanisë me përvojë, janë garancia më e mirë se gjithçka do të shkojë mbarë dhe realizimi të kryhet në afatin e paraparë. /indeks.mk