
Ish-prokurorja publike speciale e Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva dhe kryetari aktual i komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski sot janë gjetur në “listën e zezë” amerikane. Ky vendim është publikuar në faqen e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Në raport thuhet se veprimet e Janevës dhe Jakimovskit kanë cenuar sundimin e ligjit dhe besimin e publikut në institucionet demokratike dhe proceset publike në vend.
Baza e vendosjes së Janevës në “listën e zezë” të SHBA-së është se gjatë udhëheqjes së saj me ish-Prokurorin Special Publike është përfshirë në akte korruptive, si dhe ka përdorur ndikimin dhe pushtetin e saj politik për përfitime personale.
Sipas njoftimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, për Janevën ka të dhëna të besueshme se ajo ka kërkuar dhe marrë ryshfet për të ndikuar në Prokurorinë nën autoritetin e saj.
Për Jakimovskin, megjithatë, thuhet se si kryetar i Komunës së Karposhit, ka qenë i përfshirë në vepra korruptive. Thuhet se ai ka shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare për të ndikuar në zhvillimin urban të komunës, në proceset e prokurimit publik, me qëllim që nëpërmjet tyre të përfitojë për vete dhe bashkëpunëtorët e tij.
Përveç Janevës dhe Jakimovskit, Departamenti i Shtetit ka vendosur në “listën e zezë” edhe anëtarët e familjeve të tyre më të afërta, përkatësisht dy djemtë e rritur të Jakimovskit, Goce Jakimovski dhe Damjan Jakimovski.
Në “listën e zezë” janë futur edhe bashkëshorti i Janevës, Venci Janev dhe djali i saj Lazar Janev.
Këto veprime i bëjnë Janevën, Jakimovskin, Zharkun dhe anëtarët e familjeve të tyre të afërta në përgjithësi të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.
“Këto emërtime konfirmojnë angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur sundimin e ligjit dhe për të forcuar institucionet demokratike në të gjithë Ballkanin. Departamenti do të vazhdojë të përdorë të gjitha fuqitë e disponueshme për të promovuar llogaridhënien për aktorët e korruptuar në rajon dhe globalisht.” thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit.