04/10/2024

Furra nuk është e domosdoshme për të përgatitur kekun tuaj të preferuar.

Me këtë metodë që AgroWeb.org ju tregon, mund të përgatisni të gjitha llojet e kekëve pa i pjekur në furrë.

Po, e lexuat mirë, një kek që nuk ka nevojë të piqet në furrë, madje ka shijen më të lehtë dhe butësinë më delikate se çdo kek tjetër që keni provuar.

Sekreti qëndron tek përgatitja e tij në tigan. Merrni recetën bazë, e më pas mund të krijoni lloje të pafundme të tij.

Keku në tigan është krejt i lehtë dhe i nevojiten vetëm pak përbërës.

Ideal për çdo rast dhe pa shpenzuar shumë kohë.

Për ta përgatitur ju duhet këto përbërës
3 vezë
150 g sheqer
120 g miell
40 ml qumësht
40 g gjalpë
Përgatitja
Si fillim në një tigan shkrini gjalpin, por AgroWeb.org ju këshillon që të tregoni kujdes të mos e lini të digjet.

Pasi përveç aromës së pakëndshme, krijohen dhe disa kokrriza të zeza të cilat janë jo të shëndetshme.

Kalojeni gjalpin në një tas të vogël dhe lëreni të ftohet pak.

Ndërkohë merrni një tas të madh dhe hidhni aty vezët dhe sheqerin dhe përzjejini me rrahësen elektrike.

Këtë proces mund ta bëni dhe mekanikisht me telin e kuzhinës. Masa duhet të rrihet derisa të marri një ngjyrë të lehtë të verdhë dhe kokrrizat e sheqerit të jenë tretur.

Më pas shtoni miellin duke e kaluar më parë në sitë. Kështu do t’i jepni brumit të kekut më shumë ajër, duke krijuar një brum poroz.

Kur të keni përzjerë të gjithë miellin, shtoni gjalpin e shkrirë dhe në fund qumështin.

Përzjeni përsëri derisa masa të jetë homogjene.

Tiganin ku keni shkrirë gjalpin, hidhini dhe një lugë çaji me gjalpë të shkrirë dhe lyeni mirë sipërfaqen e tij.

Kaloni brumin që përgatitët dhe me ndihmën e një luge përhapeni në të gjithë sipërfaqen e tij.

Ndizni vatrën e sobës me korent dhe vendoseni tiganin duke e mbuluar me një kapak.

AgroWeb.org ju këshillon që të mos përdorni për këtë recetë vatër gazi pasi intensiteti i flakës duhet shumë i ulët.

Pasi të kenë kaluar rreth 30 minuta, hapeni kapakun dhe me nje thikë shponi kekun.

Nëse sipërfaqja e saj del e pastër, atëherë keku është gati.

Keku duhet të hiqet nga tigani në mënyrë që të mos lëshohet dhe nga nxehtësia e tiganit të ngjitet.

Kështu vendosini sipër një pjatë dhe kthejeni atë. Sipërfaqen e kekut mund ta spërkasni me sheqer pluhur, mjaltë apo kakao sipas dëshirës.

Me të njëjtën metodë mund të përgatisni dhe kekun me copëza çokollate, me kakao apo dhe fruta të thata.

Ju ngelet vetëm që ta prisni e ta servirni për familjarët e të dashurit tuaj./AgroWeb.org