-0.2 C
Skopje

“Kështu flet Ali Ahmeti!”/ Në vend se ta rrënojnë, më mirë të mësojnë diçka prej tij!

Besojmë se lexuesit nuk do ta marrin me patetikë sipas titullit të romanit të Heses “Kështu fliste Zaratustra”! Qëllimi i këtij aluzioni është tjetër, që t’ua rikujtojmë atyre që e duan me sinqeritet profilin e tij dhe atyre që nga zemra e plasur ia kanë zili dhe e shajnë nga të mbërrijnë, se ka diçka që atë e bën të veçantë kundrejt të tjerëve.

Ali Ahmeti flet kështu si flet dhe vepron ashtu si vepron, për t’ia pasur lakmi. Intervista e fundit në TV Klan Maqedoni, e dëshmoi kushedi për të satën herë të vërtetën që e dinë ata që e ndjekin dhe ata që nuk duan ta pranojnë publikisht. Ali Ahmeti paraqet një kombinim ideal të njeriut me vizion dhe të politikanit pragmatik, i cili ka çka i ofron popullit të vet dhe vendit ku ai mbi dy dekada vepron. Vizioni, përvoja politike, ideali i kombinuar me pragmatizëm, nuk gjenden te të gjithë.

Ja disa poenta që i veçuam nga intervista e së hënës në “Klan-debat”, që janë të vërtetat që si thotë populli, “nuk i luan topi”. Ali Ahmeti tha se nuk i ka pëlqyer, për më tepër ka qenë i shqetësuar nga grumbullimi që u bë me VMRO dhe partitë shqiptare dhe “Levicën”, dhe të ulen për inate kundër BDI për të ndërtuar një shumicë të re. Strategjia e inatit, është diçka që sidomos bllokun opozitar shqiptar e çoi nga gabimi në gabim. E provuan me koalicion me VMRO-në në kohë kur shqiptarët nuk janë çliruar nga të gjitha paragjykimet ndaj kësaj partie. Opozitarët shqiptarë dolën të përgjysmuar nga koalicionimi në zgjedhjet lokale. Kur nuk e fituan ashtu legjitimitetin, provuan strategjinë e bashkimit me këdo, madje dhe me “Levicën” që haptas deklaronte se është kundër gjërave për të cilat angazhoheshin partitë shqiptare.. Dështuan.

Nuk është faji i Ali Ahmetit për këto bredhëritje makiaveliste, ku shkilen platformat dhe përcaktimet e deklaruara. Ndëshkimi u vjen nga sovrani. Për bllokadat e paralajmëruara, mbase nuk ka nevojë të peshohen fjalët e Ali Ahmetit kur thotë se vendi ndodhet në krizë serioze dhe se duhet të jemi seriozë për të krijuar moment më të mirë për tejkalimin e situatës. Në situata të këtilla duhet të ndodhë e kundërta, që pushteti dhe opozita të bashkëpunojnë për nxjerrjen e vendit nga këto kriza që nuk janë nga shkaktarë të brendshëm, por nga vis major . Kriza energjetike, kriza me furnizimin e ushqimeve dhe shtrenjtimet deri në mungesë të mundshme në të ardhmen, nuk janë ngase kjo qeveri nuk dijti ta menaxhojë(vendet e rajonit ia kanë pranuar se masat e saj kanë qenë më të mirat!), por pse të njëjtit shkaktarë në gjithë botën e kanë përkeqësuar gjendjen. Ndaj, të mendosh për zgjedhje të parakohshme në kohë të këtilla, vërtet, si thotë Ali Ahmeti, vendi nuk e ka atë luks. Ai tha se “Bashkimi Demokratik për Integrim ka qenë dhe mbetet çelësi i çdo qeverie, si me VMRO-në po edhe me LSDM-në”.

Kush mund ta mohojë këtë? Vetëm dy vjet prej vitit 2002 e këndej nuk ishte në Qeveri, dhe BDI-ja ishte çelësi edhe atëherë që përcaktonte fatin e qeverisë që ra. Sepse një parti që përfaqëson shumicën e shqiptarëve, nuk mund të mos vendosë për fatin e qeverisë. Forca e saj politike është përcaktuese. Përpjekjet e pasuksesshme që me kombinatorika numrash, duke u bashkuar “dhe me djallin”, vitin e kaluar, dëshmoi se asnjë forcë nuk mund t’i bëjë ballë forcës që buron nga përkrahja popullore. Këtë e ka vetëm BDI-ja dhe ndaj është përcaktuese, është “çelësi”. Mjafton të shihet edhe pjesëmarrja e saj në këtë qeveri, për të nxjerrë përfundimin se ajo bartë dhe është përcaktuese ose kreatore e politikave në fushat më të ndjeshme: ekonomi, financa, arsim, politikë të jashtme, sistem politik… Jo rastësisht. Sukseset e kuadrove të saj askush nuk mund t’i mohojë. Në pikën për ta defakorizuar BDI-në, kanë dështuar të dy partitë kryesore maqedonase. Madje edhe në situata paradoksale kur me të ishin në pushtet dhe i punonin pas shpine. Shumë prej tyre, kanë rënë nga skena, BDI-ja dhe Ali Ahmeti vazhdojnë!

Ka pasur në të kaluarën politikanë maqedonas kalkulantë, të cilët “me njërin sy shikonin nga perëndimi, e me tjetrin ia shkelnin Rusisë me syrin tjetër” dhe me avneturierizmin e tyre pengonin hyrjen e Maqedonisë në NATO. Tash kur vendi ka hyrë në NATO dhe ky ishte përcaktimi i padiskutueshëm dhe për të cilin impenjoheshin Ali Ahemti dhe BDI-ja, duket qartë vizionariteti. Në këtë kohë të krizës globale në skenën gjeostategjike, po dëshmohet se NATO është mbrojtja më e mirë e një vendi të vogël nga çdo kërcënim dhe sa të dëmshme kanë qenë përpjekjet e uljes në dy karrige të të tjerëve. Ali Ahmeti duket se shpesh ecë një hap para të tjerëve. I ballafaquar edhe me ndonjë problem brenda partisë së tij, ai paralajmëron një princip të ri që partinë mund ta çlirojë nga lufta e grupeve apo individëve, me atë që në të ardhmen në këtë parti vetë anëtarësia do t’i zgjedhë organet partiake, diç që në botën moderne është sprovuar si gjë e duhur. Që të mos vendosin individët, por anëtarësia, si në zgjedhjet partiake në Amerikë, e kohëve të fundit sprovuar edhe te disa parti në Shqipëri.

Prandaj, në vend se të përpiqen t’ia marrin rolin që ka me metoda shpesh bizantine, më se miri oponentët e tij ta kopjojnë dhe mësojnë diçka prej tij! Të mësojnë urtësinë se ai nuk merret me të tjerët siç merren ata me të, sepse metoda e tij është jetëgjatë: ai ofron programe, zgjidhje për çështjet e hapura, e të tjerët urrejtje, shpesh dhe patologjike, intriga prapa shpine…Të mësojnë edhe një të vërtetë, se shumë sish që u përpoqët ta rrëzojnë Ali Ahmetin në mënyra intriganeske, nuk janë më në skenën politike./indeks.mk