12/10/2024

Në nenin 7 par. 1 të Ligjit të ri për Akademinë, është paraparë që gjatë përzgjedhjes se kandidatëve për pranim në trajnimin fillestar në Akademi, pa shkelur kriteret të përcaktuara me ligj, sigurohet përfaqësimi i duhur dhe i drejtë i qytetarëve që i përkasin të gjitha bashkësive në RMV. Përcaktimi paraprak i kuotës së posaçme për përfaqësimin e bashkësive që nuk janë shumicë në RMV bëhet nga ana e Këshillit drejtues të Akademisë, sipas treguesit statistikor zyrtar nga e gjithë popullsia e regjistruar nga regjistrimi i fundit i realizuar në vend… thotë zëvendës drejtori i Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë, Ilir Iseni

Bisedoi: Vjollca SADIKU

KOHA: Çfarë sigurohet me Ligjin e ri për Akademinë për gjykatës dhe prokurorë publik?

ILIR ISENI: Propozim-teksti i Ligjit për Akademinë për gjykatës dhe prokurorë publik është hartuar gjatë vitit 2019, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, nga një komision i caktuar për këtë qëllim, i përbërë nga përfaqësues të gjyqësorit, Ministrisë së Drejtësisë, Akademisë dhe Sektorit civil. Më vonë, teksti është formuluar sipas procesit të konsultimit dhe sugjerimeve të Komisionit Evropian. Fatkeqësisht, dinamika e miratimit të këtij Ligji u ngadalësua ndjeshëm në Parlament, njësoj si propozimet e tjera ligjore.
Mirpo, ajo që është me rëndësi tani është se Ligji i ri për Akademinë për gjykatës dhe prokurorë publik u miratua në seancën e Kuvendit të RMV-së të mbajtur më datë 14 qershor 2023 dhe u shpall në Gazetën zyrtare të RMV-së nr.129 nga 21 qershor 2023. Sipas të njejtit, sigurohet: 1) unifikimi i praktikës gjyqësore nëpërmjet vëllimit të shtuar të trajnimeve në kuadër të Akademisë për gjykatës dhe prokurorë publik, 2) kritere ligjore të reja për konstituimin e organeve menaxhuese dhe udhëheqëse të Akademisë, si dhe 3) redefinimi i mënyrës së dhënies së provimit pranues dhe atij përfundimtar në bazë të matësve dhe kritereve objektive për vlerësimin e njohurive të kandidatëve.

Në këtë drejtim është bërë përshtatja e zgjidhjeve ligjore me rekomandimet nga Misioni për vlerësimin e trajnimeve gjyqësore nga 2018, në drejtim të: a) lëndës, qëllimit dhe veprimtarisë së Akademisë që edhe më tutje mbetet pika e vetme hyrëse për në gjyqësor dhe prokuroritë publike, b) reorganizimit të provimit pranues me qëllim aftësimin më të mirë të kandidatëve për pjesmarrje të suksesshme në trajnim, c) zvogëlimit të afateve për dorëzimin dhe vendosjen ndaj kundërshtimeve dhe ankesave për rezultatet nga provimi i pranimit, ç) redefinimit të mënyrës së dhënies së provimit përfundimtar në bazë të matësve dhe kritereve objektive për vlerësimin e njohurive të kandidatëve dhe i njejti përbëhet nga tre pjesë: pjesa me shkrim, simulimi i gjykimeve dhe pjesa me gojë, d) forcimit të mënyrës së zbatimit të trajnimit të vazhdueshëm me çka mundësohet që programet vazhdimisht ti përmbajnë risitë në legjislacionin dhe praktikën gjyqësore, si në nivel kombëtar dhe atë ndërkombëtar.

KOHA: A është ruajtur statusi i Akademisë si e vetmja pikë hyrëse në profesioni e gjykatësit dhe prokurorit publik?

ISENI: Po, një nga arritjet më të mëdhaja është fakti se Ligji i ri konfirmoi statusin e Akademisë si e vetmja pikë hyrëse në gjyqësor dhe prokuroritë publike, duke marë parasysh rekomandimet e Komisionit Evropian. Gjithashtu, konform rekomandimeve të KE-së, nuk u shkurtua kohëzgjatja e trajnimit fillestar. Në këtë drejtim, trajnimi fillestar vazhdon të zgjasë 2 vjet, prej të cilave 9 muaj mësim teorik në Akademi dhe 15 muaj mësim praktik në gjykata dhe prokurori publike dhe institucione të tjera, në pajtim me programin për trajnim fillestar (neni 51 par. 2 i ligjit aktual).

KOHA: A është ruajtur parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat i qytetarëve që u takojnë të gjithë bashkësive në RMV gjatë konstituimit të organeve dhe trupave të Akademisë, respektivisht parimi i përfaqësimit të drejtë gjatë përzgjedhjes së kandidatëve për pranim në trajnimin fillestar në Akademi?

ISENI: Fatmirësisht, po. Në nenin 7 par. 1 të Ligjit të ri për Akademinë, është paraparë që gjatë përzgjedhjes se kandidatëve për pranim në trajnimin fillestar në Akademi, pa shkelur kriteret të përcaktuara me ligj, sigurohet përfaqësimi i duhur dhe i drejtë i qytetarëve që i përkasin të gjitha bashkësive në RMV. Përcaktimi paraprak i kuotës së posaçme për përfaqësimin e bashkësive që nuk janë shumicë në RMV bëhet nga ana e Këshillit drejtues të Akademisë, sipas treguesit statistikor zyrtar nga e gjithë popullsia e regjistruar nga regjistrimi i fundit i realizuar në vend (neni 7 par. 2 dhe 3 i ligjit aktual). Ajo që është gjithashtu e rëndësishme, a duke marrë parasysh ambientin politik dhe shoqëror në të cilin jetojmë, është se në ligjin aktual mbeti zgjidhja e mëparshme lidhur me përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të qytetarëve që u takojnë të gjithë bashkësive në RMV gjatë konstituimit të organeve dhe trupave të Akademisë, pasi në nenin 8 par. 2 është paraparë që gjatë konstituimit të organeve dhe trupave të Akademisë, caktimit të ligjëruesve dhe mentorëve, konstituimi i Komisionit të provimit pranues, Komisionit të provimit përfundimtar dhe i Komisionit të revizionit të provimeve të mbajtura, sigurohet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i qytetarëve që u takojnë të gjitha bashkësive në RMV, pa u prishur kriteret e përcaktuara me këtë ligj.

KOHA: A ka ndryshime në strukturën organizative të Akademisë sipas Ligjit të ri për Akademinë?

ISENI: Po, ka një ndryshim më tepër teknik se sa thelbësor në lidhje me strukturën organizative të Akademisë në krahasim me atë që ishte më parë. Gjegjësisht, sipas ligjit të mëparshëm, si organe të Akademisë ishin paraparë: Këshilli drejtues, drejtori, zëvendësdrejtori dhe Këshilli programor (neni 10 i ligjit të mëparshëm). Për dallim nga kjo, konform nenit 8 të Ligjit të ri për Akademinë, si organe të Akademisë janë paraparë: Këshilli drejtues, drejtori dhe Këshilli i programit. Pra, nuk figuron funksioni i zëvendësdrejtorit, por në tekstin e ligjit sa i përket organit të drejtorit (neni 15) është paraparë edhe pozita e zëvendësdrejtorit. Gjithashtu, kompetencat dhe detyrimet e zëvendësdrejtorit janë kryesisht të njejta me ato që kanë qenë të parapara me Ligjin e mëparshëm nga viti 2015 Një nga risitë në këtë drejtim është se tani, sipas nenit 18 par. 5, deri në emërimin e drejtorit të ri, por jo më gjatë se tre muaj, detyrën e drejtorit e kryen zëvendësdrejtori, që nuk ishte rasti me ligjin e mëparshëm, sipas së cilit në nenin 35 par. 4, ishte paraparë se në një situatë të tillë, detyrën e drejtorit e kryente anëtar nga radhët e Këshillit drejtues, që sipas mendimit tim ishte një zgjidhje e palogjikshme dhe kundërthënëse, duke pasur parasysh se zëvendësdrejtori duhet të jetë ai/ ajo që duhet të kryejnë atë funksion në raste të tilla.

Gjithashtu, ka ndryshime edhe në kohëzgjatjen e mandateve të anëtarëve të Këshillit drejtues dhe zëvendësve të tyre, pasi për dallim nga zgjidhja e mëparshëm, kur mandati i tyre zgjaste 2 vjet me të drejtë për zgjedhje edhe të njëhershme tani mandati i tyre zgjat katër vjet pa të drejtë të rizgjedhjes. Gjithashtu, sa i takon mandatit të antarëve të Këshillit të programit dhe zëvendësve të tyre, ka ndryshime, pasi sipas nenit 19 par. 6, mandati i tyre zgjat katër vjet, me të drejtë për zgjedhje të njëhershme, për dallim nga zgjidhja e mëparshme, kur mandati i tyre zgjaste 2 vjet me të drejtë për zgjedhje të njëhershme.

KOHA: Cilat janë dallimet më të theksuara lidhur me provimin e pranimit në Akademi në krahasim me ligjin e mëparshëm?

ISENI: Sipas ligjit të mëparshëm, provimi i pranimit fillonte me dhënien e testit për njohjen e një nga tre gjuhëve më të përdorura në BE (anglisht, frengjisht ose gjermanisht), pastaj vijonte testi kualifikues, testi psikologjik, testi i integritetit, pjesa praktike e provimit dhe në fund – pjesa me gojë. Testi i kualifikimit përmbante 100 pyetje nga të gjitha lëndët juridike dhe secila përgjigje e saktë mbarte 1 pikë, përgjigjet e pasakta dhe të ngjashme me përgjigjen e saktë kishin 0 pikë, ndërsa përgjigjet e pasakta në masë më të vogël ose më të madhe kishin pikë negative, pra -0.5 dhe -1 pikë. Për të kaluar këtë pjesë, kandidati duhej të merrte të paktën 41 pikë. Sipas të gjitha vlerësimeve, një sistem i tillë ishte i pafavorshëm për kandidatët, sepse pikët e fituara në disa pyetje mund të humbnin duke iu përgjigjur gabim pyetjeve të tjera. Duke pasur parasysh se kjo paraqiste zgjidhje ligjore, e vetmja mënyrë për të ndryshuar këtë zgjidhje – ishte miratimi i një ligji të ri për Akademinë.

Sipas zgjidhjes së re të paraparë me Ligjin e ri për Akademinë për gjykatës dhe prokurorë publik, është bërë ndryshimi i radhës së provimit pranues dhe tani fazat e provimit pranues përbëhen nga dhënia e: testit për nivelin e njohjes së një nga tre gjuhëve më të përdorura në Bashkimin Evropian (anglisht, frengjisht ose gjermanisht); testit psikologjik; testit të integritetit; testit të kualifikimit dhe provimit praktik (neni 35 par. 1 i ligjit aktual). Provimi praktik përbëhet nga pjesa me shkrim dhe pjesa me gojë.Tre testet e para të provimit pranues janë eliminatore (vlerësohen me notën “e mori provimin” apo “nuk e mori provimin”, respektivisht “të kënaqshëm” apo “të pakënashëm”) dhe kundër rezultateve nga këto teste nuk lejohet ankesë e veçantë, që nënkupton se kandidati apo kandidatja e humbin të drejtën për dhënien e mëtutjeshme të provimit.Besohet së kjo rënditje është një zgjidhje më e mirë në krahasim me zgjidhjen e mëparshme, pasi pas këtyre testimeve, vazhdohet me pjesën profesionale.

Më pas, në pjesën e testit të kualifikimit, pyetjet mbeten 100, por përgjigjet e ofruara jenë vetëm tre, pa pikë negative dhe përgjigja e saktë do të ketë 1 pikë. Për të kaluar këtë pjesë, do të jetë e nevojshme të shënohen të paktën 61 pikë (neni 44 par. 3 i ligjit aktual), për dallim nga zgjidhja e mëparshme ku ishte e nevojshme të shënohen të paktën 41 pikë (neni 75 par.5 i ligjit të mëparshëm). Gjithashtu, është rritur edhe pragu i pikëve të cilët kandidatët duhet ti fitojnë gjatë provimit pranues, pasi sipas nenit 48 par. 3 të ligjit aktual, plotësimi i numrit të parashikur të dëgjuesve bëhet nëse kandidatët kanë fituar të paktën 70% të numrit të përgjithshëm të pikëve të provimit pranues. A do paraqet ky prag ndonjë problem për kandidatët që vijnë nga radhët e bashkësive që nuk janë shumicë në RMV, do të shihet në periudhën që vjen!

Sa i takon provimit praktik, ai ruan formatin e marrjes së një lënde nga fusha penale dhe një lënde nga fusha civile, ku secili ka maksimum 35 pikë (neni 45 par. 9 i ligjit aktual). Pjesa me gojë e provimit përmban 30 pikë (neni 45 par. 13 i ligjit aktual).Secili anëtar i komisionit jep notën e tij, nga e cila më pas merret nota mesatare. Gjatë gjithë provimit, ruhet anonimiteti në pjesën me shkrim, ndërsa provimi me gojë do të inçizohet.

Sigurisht që duhet të kihet parasysh se i gjithë procesi i provimit pranues kryhet nga Komisioni i pranimit që është i përzgjedhur për këtë qëllim dhe i cili punon në mënyrë të pavarur (neni 28 i ligjit aktual).Ky komision përbëhet nga një kryetar dhe nëntë anëtarë, të cilët kanë edhe zëvendësit e tyre. Anëtarët emërohen nga organet gjyqësore të shtetit dhe vetëm një anëtar dhe zëvendësi i tij/saj janë nga Ministria e Drejtësisë, duke qenë se Ministria ka kompetencë ligjore për të mbikëqyrur punën e Akademisë.Sipas ligjit, drejtori apo zëvendësdrejtori nuk kanë autoritet në procesin e provimit të pranimit, dhe shërbimi profesional i Akademisë i shërben organizativisht procesit dhe punës së komisionit.

KOHA: Cila është risia lidhur me marrjen e çertifikatës për trajnimin fillestar të përfundurar?

ISENI: Sa i takon trajnimit fillestar, për dallim nga zgjidhja e mëparshme, ku varësisht nga suksesi i arritur gjatë fazës së parë – pjesës teorike, dëgjuesit vazhdonin pjesën praktike duke ndjekur mësimin praktik për dëgjuesit të përcaktuar për gjykatës dhe mësimin praktik për dëgjuesit të përcaktura për prokurorë publik. D.m.th. pjesa teorike, sipas zgjidhjes së mëparshme, ishte e ndarë dhe nuk ishte e unifikuar. Prandaj, me ligin e ri rikthehet dhënia e çertifikatave të unifikuara, për kandidatët që do të përfundojnë me sukses trajnimin fillestar, pra sipas kësaj zgjidhjeje do të mund të punojnë edhe si gjykatës edhe si prokurorë publik (neni 59 i ligjit aktual).

KOHA: Këto risi a do ndikojnë në gjeneratën e VIII-të të dëgjuesve të trajnimit fillestar në Akademi?

ISENI: Sipas nenit 72 par. 2 të Ligjit të ri për Akademinë, është paraparë që gjenerata e kandidatëve për gjykatës dhe prokurorë publik e cila në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji është duke vijuar trajnimin, të njejtin do ta përfundojnë në pajtim me dispozitat e këtij ligji. Kjo dispozitë ka efekt të drejpërdrejt edhe për gjeneratën e VIII-të të dëgjuesve të trajnimit fillestar në Akademi, e cila është e përbërë nga gjithësejt 97 dëgjues, dhe që aktualisht po ndjekin pjesën praktike nëpër gjykatat dhe prokurorite publike të vendit, pasi muaj më parë përfunduan me sukses pjesën teorike në Akademi.

KOHA: Si po zhvillohet procesi i pranimit të gjeneratës së IX-të të dëgjuesve të trajnimit fillestar në Akademi?

ISENI: Shpallja publike për pranimin e 130 dëgjuesve në gjeneratën e IX-të të trajnimit fillestar në Akademi u publikua në Gazetën Zyrtare të RMV-së nr.19 nga 30 janari 2023. Pas shqyrtimit të dokumentacionit të dorëzuar, Komisoni i pranimit konstatoi se 513 kandidatë plotësojnë kushtet ligjore për të dhënë testin për njohjen e një nga tre gjuhëve më të përdorura në BE. Të njejtin me sukses e kaluan 349 kandidatë, nuk e kaluan 107 kandidatë, ndërsa njërit kandidat nuk iu lejua dhënia e testit pasi nuk e kishte dorëzuar telefonin para hyrjes në testim dhe të njejtin e kishte fotografuar. Kandidatët e tjerë nuk u paraqitën për testim.

Pasi propozim-ligji për Akademinë për gjykatës dhe prokurorë publik ishte në procedurë parlamentare dhe i njejti pritej të sillet deri në fund të muajit maj 2023, Komisioni i pranimit vendosi që testi i kualifikimit të mos mbahet në datat e përcaktuar sipas Dinamikës kohore, pasi sipas propozim-ligjit ishte paraparë ndryshim në orarin e dhënies së pjesëve të provimit pranues.

Ligji i ri për Akademinë për gjykatës dhe prokurorë publik u miratua në seancën e Kuvendit të RMV-së të mbajtur më datë 14 qershor 2023 dhe u shpall në Gazetën zyrtare të RMV-së nr.129 nga 21 qershor 2023. Në nenin 72 par. 1 i Ligjit të ri për Akademinë, është paraparë që të gjitha procedurat e filluara për pranimin e dëgjuesve në trajnimin fillestar në Akademinë për gjykatës dhe prokurorë publik do të zbatohen dhe do të përfundojnë në pajtim me dispozitat e këtij ligji. Duke marrë parasysh këtë dispozitë ligjore, Komisioni i pranimit në seancën e mbatjur më 3 korrik 2023, përcaktoi Dinamikën e re kohore për zhvillimin e pjesës së mëtutjeshme të provimit pranues, me të cilën mbajtja e fazave të provimit pranues u përputh me Ligjin e ri të Akademisë për gjykatës dhe prokurorë publik. Sipas së njejtës, testi psikologjik është paraparë të zhvillohet me 05 dhe 06 shtator 2023, ndërsa testi i integriteti me datë 23 dhe 24 shtator 2023.

KOHA: Si po zhvillohet hartimi i akteve të reja nënligjore për tu harmonizuar me Ligjin e ri për Akademinë?

ISENI: Sipas nenit 73 të Ligjit të ri për Akademinë është paraparë që aktet nënligjore të parashikuara me këtë ligj do të miratohen nga Këshilli drejtues në afat prej një muaj nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Për këtë arsye, shërbimi profesional i Akademisë dhe Këshilli drejtues punojnë intenzivisht në përgaditjen e këtyre akteve nënligjore. Së fundmi, në seancën e 199-të të Këshillit Drejtues të mbajtur më 7 gusht 2023, u miratua Statuti i ri i Akademisë për gjykatës dhe prokurorë publik i cili tani është publikuar në Gazetën Zyrtare të RMV-së me numër 172/ 2023 nga 14 gushti 2023. Gjithashtu, potencoj se edhe aktet tjera nënligjore do miratohen në të ardhmen e afërt.

KOHA: Në fund, si vlerësohet puna e Akademisë në raportin e skriningut të KE-së për Republikën e Maqedonisë së Veriut që u publikua më 20 korrik 2023?

ISENI: Akademia për gjykatës dhe prokurorë publik mbetet edhe më tej pika e ndritshme në procesin reformues të sistemit gjyqësor në RMV-së. Dëshmi për këtë janë raportet vjetor të Komisonit Evropian për progresin e RMV-së, në të cilat, në vazhdimësi Akademia merr vlerësime pozitive, si dhe mirënjohja që i është dhënë së fundmi nga ana e Komisionit Evropian në Raportin e skriningut nga 20 korriku 2023, i publikur në ueb faqen e Bashkimit Evropian.

Akademia punon me përkushtim në realizimin e vizionit dhe misionit të saj, vazhdimisht duke i përmirësuar proceset e saj të punës, sigurisht duke ndjekur temat dhe zhvillimet aktuale në skenën evropiane. Mirënjohjet që vijnë nga bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht nga Komisioni Evropian i BE-së ku monitorohet dhe vlerësohet progresi i RMV-së, dhe ku Akademia është vlerësuar pozitivisht në kuadër të Kapitullit 23, janë edhe një dëshmi e radhës që Akademia me të drejtë konsiderohet si një nga institucionet kyçe në sistemin gjyqësor të RMV-së.

Njëkohësisht, duhet të theksohet fakti se bashkëpunimi ndërkombëtar është jashtëzakonisht i rëndësishëm në zhvillimin e Akademisë, e cila gëzon respekt të madh në mesin e partnerëve dhe mbështetësve të saj të huaj.Akademia bashkëpunon dhe merr pjesë në aktivitete të përbashkëta me institucionet gjyqësore të ngarkuara me aftësimin profesional të gjyqësorit nga rajoni dhe më gjerë. Me rëndësi të veçantë është sigurisht pjesëmarrja aktive e Akademisë në aktivitetet e Rrjetit Gjyqësor Evropian (EJTN), Akademisë së së Drejtës Evropiane (ERA) dhe Institutit Evropian për Administratë Publike – Qendra për gjykatës dhe juristë nga Luksemburgu (EIPA Lux).