11/12/2024

Televizioni Klan Maqedoni ka mësuar ekskluzivisht nga rradhët e Frontit Europian të prirë nga Bashkimi Demokratik për Integrim, që edhe Partia Demokratike Europiane – PDE do të jetë pjesë e Frontit Europian, teksa të hënën në ora 12:00 në Tetovë do ta firmosin marrëveshjen e koalicionit bashkë me Partinë Demokratike Shqiptare PDSH të Menduh Thaçit dhe Lëvizjes Populli të Skender Rexhepit – Zejdi.

Sipas informacioneve të siguruara, Arianit Hoxha, Kryetar i PDE-së, rreshtohet i njëmbëdhjeti në zonën zgjedhore gjashtë, ndërsa Bastri Bajrami i pesti në zonën e dytë zgjedhore, siç raportoi kohë më parë Klan Maqedoni.

Mbrëmë në Debat Plus me Ermal Pandurin në Klan Maqedoni, Menduh Thaçi tha se PDSH do t’i bashkohet Frontit Europian, si alternativë më e mirë për vazhdimin e rrugës europiane të vendit.

Rikujtojmë se të hënën, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti së bashku me Kryetarin e Lëvizjes Populli, Skender Rexhepi-Zejd, firmosen marrëveshjen e koalicionit, me ç’rast filloi themelimi i Frontit të madh Europian në të cilin pritet të rreshtohen edhe parti të komuniteteve tjera në vend.