0.8 C
Skopje

Komisioni për financim dhe buxhet do ta vazhdojë debatin për ribalancin e Buxhetit

Komisioni kuvendor për financim dhe buxhet sot ditën e tretë do të diskutojë rreth Propozimit për ndryshim dhe plotësim të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2022.

Me ribalancin e Buxhetit, të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 245,8 miliardë denarëve dhe janë për rreth 6,9 miliardë denarë apo 2,9 për qind më të larta në raport me projeksionet fillestare të Buxhetit. Shuma e shpenzimeve të përgjithshme është 288,5 miliardë denarë apo për rreth 161,1 miliardë denarë (5,9 për qind) më shumë në raport me projeksionet iniciale me planet për vitin 2022. Shpenzimet kapitale janë planifikuar në nivel prej 32,2 miliardë denarë dhe janë për rreth gjashtë miliardë denarë më të ulëta në krahasim me planin për vitin 2022, por nga pushteti paralajmërojnë se do të vazhdojnë projektet për ndërtimin e rrugëve, hekurudhave, gazpërçuesve…

Me ribalancin janë paraparë rreth 70 milionë euro për masa antikrizë të cilat, siç paralajmëronin përfaqësuesit qeveritarë gjatë periudhës së kaluar, do të targetohen drejt atyre të cilëve u nevojiten më së shumti.

Në dy ditët e para të debatit, i cili filloi të hënën, deputetët nga pushteti porositën se ribalanci i Buxhetit është në drejtim të përgjigjes më efikase ndaj sfidave të shkaktuara nga kriza ekonomike botërore, ndërsa 76 milionë euro janë paraparë për masa të reja, të adaptuara dhe të targetuara për ndihmë qytetarëve dhe ekonomisë. Deputetët nga opozita, ndërkaq, thanë se ribalanci është dëshmi se shteti është në skaj të falimentimit, borxhi publik do të tejkalojë shumën rekorde prej 8 miliardë eurove, ndërsa qytetarët çdo ditë po varfërohen.

Anëtarët e Komisionit gjatë debatit për ribalancin e Buxhetit duhet të shqyrtojnë edhe mbi 200 amandamente, kryesisht të parashtruara nga opozita.