01/12/2024

Zyrtarët e Inteligjencës në Washington janë gjithnjë e më shumë të shqetësuar për lidhjet që po forcohen midis Koresë së Veriut dhe Rusisë, dhe ndikimet afatgjata të asaj që duket të jetë nivel i ri i partneritetit strategjik midis dy kombeve, sipas zyrtarëve të shumtë. Ata po i konsiderojnë shumë komode raportet e reja Rusi-Kore e Veriut
(CNN) – Njohësit e çështjeve ndërkombëtare në Washington janë fiksuar kohëve të fundit në shkatërrimin që Koreja e Veriut ia bëri një monumenti të rëndësishëm kushtuar ribashkimit të Gadishullit Korean. Lëvizja, sipas tyre, po shihet si veprim pararendës i luftës me Korenë e Jugut, në kohën kur udhëheqësi Kim Jong Un ka shtuar retorikën tipike të luftës.

Megjithatë, zyrtarët amerikanë dhe analistët për Korenë e Veriut në kushte anonimiteti thonë se zhurma mbi harkun e ribashkimit shpërfaq kërcënim strategjik shumë më të madh: Partneritetin në rritje të Koresë së Veriut me Rusinë.

Zyrtarët e Inteligjencës në Washington janë gjithnjë e më shumë të shqetësuar për lidhjet që po forcohen midis Koresë së Veriut dhe Rusisë dhe ndikimet afatgjata të asaj që duket të jetë nivel i ri i partneritetit strategjik midis dy kombeve, sipas zyrtarëve të shumtë. Ata po i konsiderojnë shumë komode raportet e reja Rusi-Kore e Veriut.

Rusia ka gjuajtur në mënyrë të përsëritur raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi të furnizuara nga Koreja e Veriut, në objektivat ukrainase javëve të fundit. Në janar diplomatë të rangut të lartë të Koresë së Veriut dhe Rusisë u takuan në Moskë përpara asaj që media shtetërore e Koresë së Veriut thotë se do të jetë një vizitë e ardhshme në Phenian nga vetë presidenti rus, Vladimir Putin – e para më shumë se 20 vjetësh.

Administrata Biden është aq e shqetësuar sa këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, e ngriti çështjen me ministrin e Jashtëm kinez gjatë një takimi në janar, u tha gazetarëve një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë në fund të muajit të kaluar.

Nëse Koreja e Veriut është në gjendje ta përdorë marrëdhënien më të ngushtë me Rusinë për të zbehur ndikimin e Kinës, zyrtarët frikësohen se kjo mund të heqë atë që disa besojnë se ka qenë një frenim i rëndësishëm në programin e testimit bërthamor të Phenianit.

“Unë mendoj se (Kim) është vazhdimisht në kërkim të një lloj avantazhi”, ka deklaruar një zyrtar i lartë i mbrojtjes.

Një zyrtar i lartë i administratës u tha gazetarëve në fund të janarit se janë “thellësisht të shqetësuar për testimin e fundit të armëve”.

“Jemi thellësisht të shqetësuar për marrëdhëniet në rritje midis Rusisë dhe DPRK-së (Republika Popullore Demokratike e Koresë) dhe çfarë mund të nënkuptojë kjo për qëllimet e Kimit, ka thënë zyrtari.

Jeffrey Lewis, ekspert i Koresë së Veriut dhe profesor në Institutin Middlebury për Studime Ndërkombëtare, ka thënë se Pheniani ka kërkuar prej kohësh të balancojë ndikimin kinez duke ndjekur dialogun me kombet e tjera – duke përfshirë Bashkimin Sovjetik dhe, më vonë, Shtetet e Bashkuara. Partneriteti i sapokrijuar transaksional i Koresë së Veriut me Moskën kuptohet më së miri pasi Kimi shfrytëzoi një mundësi për t’i dhënë vetes hapësirë ​​manovrimi me Kinën, kanë thënë Lewis dhe të tjerët.

Rreziku për SHBA-në

Rreziqet që kjo marrëdhënie paraqet për interesat e SHBA-së janë të shumta, sipas analistëve të shumtë brenda dhe jashtë Qeverisë.

Edhe pse Lewis dhe të tjerët besojnë se SHBA-ja shpesh e mbivlerëson shkallën e kontrollit që Pekini ka mbi Korenë e Veriut, ajo ka ndikim dhe kërkon të sigurojë stabilitet në gadishull. Por Koreja e Veriut është “e tmerruar se kinezët do të marrin funksionalisht vendin, jo me ushtri, por kulturalisht dhe financiarisht”, ka thënë Lewis.

“Rusia është një aleancë shumë e natyrshme që u mundëson të zvogëlojnë varësinë e tyre nga Kina”, është shprehur ai.

Paratë ruse – dhe potencialisht teknologjia ruse – në këmbim të raketave të Koresë së Veriut, mund të nxisin gjithashtu bazën industriale të mbrojtjes të Koresë së Veriut, duke lejuar Phenianin të përditësojë rezervat e municioneve tradicionale dhe t’i japë ekonomisë shtytje shumë të nevojshme. Kjo, nga ana tjetër, mund të përshpejtojë programin e zhvillimit të raketave.

Tregtia me Rusinë gjithashtu mund t’ua humbë efektin sanksioneve që SHBA-ja i ka vendosur ndaj Koresë së Veriut. Pritet që ky raport të përshpejtojë ekonominë dhe të forcojë programin e zhvillimit të armëve të Koresë së Veriut.

Dhe ndoshta më alarmante, raketat e Koresë së Veriut në fushën e betejës ruse mund të veprojnë si reklamë për shitje të mëtejshme te regjimet e tjera me pretendime të ngjashme.

“Këto janë mjete të besueshme të fushëbetejave dhe nëse Koreja e Veriut arrin t’i shesë, do t’ia mundësonte të prodhonte më shumë dhe të ndihmojnë në shpërndarjen e tyre të brendshme – dhe, natyrisht, të kenë një efekt topi dëbore për të gjetur edhe më shumë klientë”, ka thënë Sydney Seiler, zyrtar kombëtar i Inteligjencës për Korenë e Veriut, në Këshillin Kombëtar të Inteligjencës në SHBA, deri në vitin 2023.

Lewis, Seiler dhe të tjerët paralajmëruan se asnjë nga këto rezultate nuk është parashikuar. Si gjithmonë me Korenë e Veriut, të deshifrosh se si mund të reagojë mbretëria e mbyllur është si të lexosh kockat e pulës.

Por brenda qeverisë, zyrtarët po e vëzhgojnë dinamikën nga afër.

Një postim në një uebfaqe me ndikim për raportet me Korenë e Veriut, i shkruar nga dy ish-analistë, ka qarkulluar brenda qeverisë amerikane për javë të tëra. Postimi ka paralajmëruar se vendimi i Phenianit për të braktisur ribashkimin ishte sinjal i qartë se Koreja e Veriut kishte marrë “vendimin strategjik për të shkuar në luftë”.

Problemi, sipas më shumë se dhjetëra zyrtarëve amerikanë të njohur me inteligjencën më të fundit amerikane, ishte se përshtypja ishte e gabuar.

“Unë nuk mendoj se (Kim) ka marrë vendim strategjik për konflikt”, ka thënë një zyrtar i lartë i mbrojtjes. “Unë nuk kam parë asgjë që tregon për konflikt strategjik”, ka shtuar ai.

Kimi nuk duket se po përgatit një sulm

Pesë zyrtarë amerikanë i thanë CNN-it se SHBA-ja nuk ka parë shenja se Kimi po përgatitet për një sulm të mundshëm ndaj Koresë së Jugut ose një provokim më të gjerë që përfshin armë bërthamore.

Disa analistë besojnë se deklaratat publike të Koresë së Veriut sinjalizojnë se ky shtet po braktis politikën e ribashkimit në ndjekje të paqes në gadishull.

“Prioriteti numër një i Kimit është ruajtja e regjimit të tij”, ka deklaruar një zyrtar i mbrojtjes. “Ky nuk është ndryshim – ky ka qenë një prioritet strategjik i të gjithë familjes së tij që nga Lufta Koreane”.

Lewis, Seiler dhe të tjerë janë shprehur se Kimi është shumë konsistent në mesazhet publike për qëllimet e tij. Në fjalimet që njoftuan braktisjen e ribashkimit, Kim e bëri të qartë se nuk po kërkonte luftë me Korenë e Jugut.

“Kimi e tha në mënyrë eksplicite se një nga ndikimet e refuzimit të ribashkimit ishte se ai po e refuzonte edhe ribashkimin me forcë – kështu që mesazhi i qartë ishte se Koreja e Veriut nuk do të fillonte një luftë me Korenë e Jugut”, është shprehur Lewis.

Kjo nuk do të thotë se Pheniani mund të mos nisë sulme të nivelit më të ulët përveç luftës së gjithanshme, kanë vlerësuar analistët – diçka që Koreja e Veriut e bën herë pas here për arsye që mund të jenë të paqarta për inteligjencën amerikane.

Pheniani shpesh përdor stërvitjet ushtarake në rajon të kryera nga SHBA-ja, Koreja e Jugut dhe Japonia si mundësi për t’i ndërmarrë ato që SHBA-ja i quan “veprime provokative”.

“Por nuk është luftë. Nuk jemi nisur drejt luftës. Po shkojmë drejt asaj që mendoj se do të ishte një sezon me tension më të lartë, por nëse mbesim në këtë kurs, do të dalim në rregull”, ka thënë Seiler.

Në vitin 2010, Koreja e Veriut bombardoi një ishull të Koresë së Jugut dhe të dy palët shkëmbyen zjarr që la të vdekur njerëz nga të dyja anët. Por konflikti nuk u përshkallëzua kurrë.

Zyrtari i lartë i mbrojtjes ka thënë se, për momentin, SHBA-ja nuk sheh asnjë tregues se Koreja e Veriut po përgatitet për diçka të tillë.

Koreja e Veriut gjithashtu nuk pritet të tërhiqet nga programi i saj i zhvillimit të raketave – diçka që zyrtarët e mbrojtjes e shikojnë me alarm, edhe pse ata besojnë gjerësisht se Pheniani e sheh programin si mbrojtës dhe jo si sulmues.

Zyrtarët ende besojnë se Koreja e Veriut mund të jetë e gatshme të kryejë një tjetër provë bërthamore.

Pheniani ka bërë përmirësime të dukshme në lëndët djegëse të ngurta të përdorura për raketat me rreze më të shkurtër dhe ato më të gjatë. Për shkak se lëndët djegëse të ngurta mund të ruhen në terren për javë të tëra, zyrtarët amerikanë janë të shqetësuar se teknologjia e përmirësuar do t’ia mundësojë Koresë së Veriut t’i lëvizë raketat e saj dhe t’i fshehë nga mbikëqyrja e huaj më lehtë.