Një grup banorësh maqedonas të Idrizovës kanë protestuar para Shkollës Fillore “Njegosh” në Gazi Babë, kundër hapjes së një paralele në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë. Ata kanë kërkuar që nxënësit shqiptar të marrin mësim në një shkollë tjetër në Ognjancë, dhe kanë akuzuar Qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit për të marrur kompetencat e kryetarit të komunës.
Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, ka reaguar duke thënë se nuk ka asnjë cenim të të drejtave kushtetuese të banorëve maqedonas, nëse u mundësohet një etnie tjetër mësimi në gjuhën amtare. Ai ka theksuar se kjo është e garantuar me Kushtetutë dhe se do të financojnë ndërtimin e hapësirave shtesë për nxënësit shqiptar.
“Për këtë të drejtë kushtetuese që kërkohet, që fëmijët të mësojnë në gjuhën e tyre amtare, nuk cenohet asnjë e drejtë e të tjerëve.”, – deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.
Prindërit shqiptar kanë insistuar që fëmijët e tyre të marrin mësim në Shkollën Fillore “Njegosh” dhe të mos udhëtojnë me kilometra të tëra. Ata kanë thënë se fëmijët e tyre janë të detyruar që pas klasave fillor të ndjekin maturën në shkolla tjera.