01/12/2024

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në seancën e mbajtur më 22 gusht, solli vendim për themelimin e konviktit shtetëror për studentët në qytetin e Tetovës.

Ky vendim u prit me padurim nga të gjithë studentët, e sidomos nga ata studentë të cilët udhëtojnë nga qytete të tjera. Shumica e tyre u shprehën se ky konvikt do të jetë shtëpia e tyre e re, dhe një mundësi shumë e mirë për të ardhmen e tyre, e sidomos për studentët me të ardhura të pakta.

Ata gjithashtu theksuan se do të jetë një mundësi e mirë edhe për socializimin e tyre me miq të rinj, dhe një ndihmesë për ndërtimin e jetës së tyre në të ardhmen.

Qëndresa Emini, studente në Universitetin e Tetoves në fakultetin Pedagogjik – Dega Edukim Special dhe Rehabilitim, u shpreh se Konvikti “Tetova” do të jetë një mundësi shumë e mirë për studentët që vijnë nga qytete të tjera.

“Sipas mendimit tim, ndërtimi i konviktit në qytetin e Tetovës është një lehtësim për studentët që vijn nga qytetet e tjera për shkak se e kanë më të lehtë për të gjetur vendqëndrimi dhe mesa kam marrë informata, konvikti do t’i ketë të gjitha kushtet qe i duhen një studenti për të jetuar gjatë kohëve të studimeve. Madje do ishte edhe më mirë sikur të ishte ndërtuar më herët, por më mirë vonë sesa kurrë”, tha Emini.

Zenel Jusufi, student i Universitetit të Tetovës në fakulteti e Shkencave Mjekësore-Dega Mjekësi e Përgjithshme u shpreh se konvikti “Tetova” është një mundësi e artë për të ardhmen e studentëve të qytetit të Tetovës.

“Hapja e konviktit studentor ka qenë një ëndërr e kahmotshme dhe e shumëpritur nga shumica e studentëve të qytetit dhe rrethinës. Është një mundësi e artë për ne studentët kur shohim një punë kaq kolosale të bërë për të rinjtë e këtij vendi. Është kënaqësi kur të shohim akomodimin e studentëve në një ambient me cilësi të lartë bashkëkohore dhe kjo e mundësuar fal punës së shkëlqyer nga ana e zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubit dhe Ministrisë së Arsimit në krye me Jeton Shaqirin, të cilëve u jemi mirënjohës pafund për këtë ëndërr të realizuar”, tha Jusufi.

Arlinda Seferi, studente në Universitetin e Tetovës në fakulteti e Shkencave Mjekësore-Dega Mjekësi e përgjithshme, u shpreh se themelimi i këtij konvikti do të jetë një mundësi shumë e mirë e socializimit të studentave njëri me tjetrin.

“Ndërtimi i konviktit ua lehtëson studentëve kërkimin për banim në pjesë tjera të qytetit, ua mundëson shoqërimin me studentë të tjerë, është alternativa më e përshtatshme në lidhje me lokacionin e banimit dhe shumë avantazhe tjera. Disadvantazh mund të jetë privatësia, mosmundësia për zgjedhjen e shokut të dhomës, zhurmat etj”, tha Seferi

Gresa Asani, studente në Universitetin e Tetovës në fakultetin e Arkitekturës, u shpreh se ky konvikt është një projekt i mirëorganizuar i cili do t’i shërbejë shumë qytetit të Tetovës, dhe do të lehtësojë jetën studentore të studentëve.

“Sa i përket mendimit tim si studente në qytetin e Tetovës dhe në Universitetin e Tetovës, mendoj se për zhvillim të vendit konvikti i studentëve është një projekt i mirëmenduar, për shkak se studentët e këtij Universiteti nuk kanë pasur një vendqëndrim të sigurt, ndoshta me ketë projekt mbas zhvillimit dhe realizimit të tij studentët do të jenë më të kënaqur me vendin dhe studimet”, tha Asani.

Siç u njoftua dje nga Qeveria, ky konvikt do të ketë kapacitet prej 300 shtretërish dhe realizimi i tij me çështjet procedurave të themelimit dhe zgjedhjes së organit drejtues fillon së shpejti.