Koordinatori i grupit parlamentar të Aleancës për Shqiptarët, Adnan Neziri, tha se deputetët e VMRO-DPMNE-së kanë mbështetur prëligjin për amnistinë në takimin me ministrin e Drejtësisë.
“Ministri ka qenë në Parlament dhe në bashkëbisedim me përfaqësuesit e grupeve parlamentare ku është debatuar me të gjitha partitë parlamentare ku partitë parlamentare dhanë vizën dhe kuptuan arsyen, siç sqaroi ministri për shkak të ngarkesës së burgjeve dhe kushteve jo të mira, bëmë një amnisti me qëllim që t’i lirojmë ato burgje”, tha Adnan Neziri, koordinator i grupit parlamentar të ASH-së.
VMRO-ja duket se ka ndryshuar qëndrimin e saj në lidhje me ligjin dhe tani kundërshton ashpër atë. Në një takim më parë, koordinatori i VMRO-së pranonte dhe e pëlqente një veprim të tillë për ligjin.
“Është për çudi sepse në atë takim që ka ndodhur para 2 muajve nëse nuk gaboj, koordinatori i VMRO-së pranonte dhe e parapëlqente një veprim të tillë për ligjin. Tani nuk e di pse kanë ndryshuar. Duhet ata të tregojnë pse kanë ndryshuar qëndrimin nga ai takim”, tha Adnan Neziri, koordinator i grupit parlamentar të ASH-së, në intervistën e tij.
VMRO-DPMNE-ja ka deklaruar se do të bllokojë ligjin, duke argumentuar se pushteti dëshiron të lirojë kriminelë.