Banka Qendrore e Kosovës ka miratuar rregulloren e cila do të hyjë në fuqi nga një shkurti. Përmes kësaj rregulloreje monedha e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në Kosovë është euro. Kjo ka ngjallur reagimin e Serbisë. Presidenti i këtij shteti ka thënë se heqja e dinarit nga komunat me shumicë serbe po bëhët qëllimshëm dhe rrezikon mbijetesën e qytetarëve. Vuçiq paralajmëron se kjo e rrezikon procesin e dialogut. Ndërkohë, përfaqësuesit e pushtetit e kanë thënë se Kosova ka të drejtë kushtetuese dhe ligjore që të shtrijë autoritetin në tërë territorin e vendit edhe sa i përket monedhave.
Një qytetare e komunës së Graçanicës që sapo ishte furnizuar me artikuj ushqimorë tha se ato i bleu me dinarë, edhe pse, sipas saj, ka raste kur e përdor edhe euron. Por, nuk pajtohet që të ndalohet qarkullimi i dinarit në Kosovë.
RTV21: A e përdorni dinarin si valutë për t’u furnizuar me gjëra, dhe si e komentoni se mund të ndalet dinari për qarkullim?
VOX: “Po. E përdori edhe dinarin, edhe euron. Nuk pajtohem të ndalohet dinari, sepse rogën e marr me dinar. Nganjëherë po i këmbej dinarët me euro d. Nuk po pajtoehm fare me Qeverinë e Kosovës që të ndalojë dinarin, sepse ka pensionistë që nuk kanë se si ta marrin pensionin e tyre përvecse me me dinarë. Me të vërtetë nuk është fer”.
VOX: “E përdori edhe dinarin, edhe euron. Tash e kam marrë pensionin. Nuk kam dëgjuar se do ndalohet qarkullimi i dinarit’’.
VOX: “krejt çka kam i përdori”
VOX: “nuk e përdori dinarin. Më lehtë e kam me euro’’.
Banka Qendrore e Kosovës miratoi rregulloren që nga një shkurti valuta e vetme të jetë euro. Sipas nnenit 35 të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës që rregullon përdorimin e valutave në Kosovë thuhet se:
1. Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të Nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
2. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është autoriteti i vetëm monetar që mund të vendosë për denominimet e lejuara të valutës euro për qarkullim në Republikën e Kosovës.
Ndërsa, neni 36 jep sqarime se si mund të përdoren valutat e tjera në Kosovës:
1. Valutat e tjera jo euro mund të përdoren në Republikën e Kosovës vetëm si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogarite bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor.
2. Këmbimet valutore mund të kryhen në Republikën e Kosovës vetëm përmes institucioneve të licencuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës që ofrojnë këtë shërbim.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një paneli në Forumin e Ekonomik në Davos të Zvicrës tha se ndalimi i përdorimit të valutës shtetërore serbe dinar për qarkullim në komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë e rrezikon procesin e dialogut në Bruksel.
”Ne morëm një njoftim nga Prishtina se janë të gatshëm të anulojnë transaksionet e pagesave me Serbinë qendrore, ndalimin e përdorimit të dinarëve dhe bastisjen e Bankës Postare, njëra nga dy bankat që operojnë me dinarë dhe sipas sistemit serb. Me këtë Kurti shkatërron dialogun për normalizim”, tha Vuçiq.
I menjëhershëm ishte reagimi i ndërmjetësit të dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili tha se ka diskutuar me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, për këtë çështje dhe shqetësimet e palës serbe i ka përcjellë edhe në Bruksel.
“Këtë çështje e ngrita në bisedën time me kryenegociatorin nga Kosova, z. Bislimi. I kërkova që t’u përgjigjet disa pyetjeve të rëndësishme. Dhe së dyti, atë informacion ia kam përcjellë Brukselit dhe shërbimet tona tani janë duke e analizuar situatën. Presim që ta dalin shumë shpejt me ndonjë qëndrim të përbashkët dhe zyrtar”, tha Lajçak.
Qeveria e Kosovës nuk ka reaguar deri më tani ndaj kritikave të Serbisë se Kosova qëllimshëm po dëshiron t’i dëmtojë qytetarët serbë. Por, deputeti i partisë në pushtet Vetëvendosje, Enver Haliti, reagimet e presidentit Vuçiq i quajti lojëra për përfitime politike në proces të dialogut. Sipas tij, Kosova ka të drejtë të shtrijë legjitimitetin në tërë territorin e saj.
‘’Nuk është hera e parë që presidenti i Serbisë përdor situata banale për të rrezikuar pjesëmarrjen në dialog, por nuk funksionojnë këto kushtëzime. Sa i përket qarkullimit të valutës serbe është e drejtë e Kosovës që ta shtrijë autoritetin në tërë territorin ka të drejtë legjitime. Ky është proces teknik që nuk ka implikime në dialog”, tha Haliti për RTV21.
Kundër rregullores së BQK-së që lejon vetëm përdorimin e euros në Kosovë ka dalë Lista Serbe, duke e quajtur vendim që rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë./21Media