0.8 C
Skopje

Kovaçevski: Komunikimet strategjike të NATO-s janë arma më e fortë kundër dezinformimit dhe veprimeve hibride

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot mbajti fjalim në konferencën e NATO-s.

Në vazhdim ju përcjellim në tërësi:

Fillimisht, më lejoni t’ju falënderoj për ftesën për të diskutuar sot. Për mua, pamja e këtij rrjeti prej mbi 300 komunikatorësh të NATO-s është një çelës i dukshëm për suksesin e komunikimeve strategjike të Aleancës.

Për ne, si anëtari më i ri i NATO-s, ngjarje të tilla janë të një rëndësie të jashtëzakonshme, sepse ato përcaktojnë organizimin dhe veprimin tonë të mëtejshëm të brendshëm në fushën e komunikimeve strategjike.

Si anëtare e NATO-s, ne jemi të përkushtuar të kontribuojmë në sigurinë kolektive. Ajo është e dukshme gjatë gjithë vitit të kaluar përmes të gjitha aktiviteteve të ndërmarra, qoftë ndihma dhe mbështetja për Ukrainën, stërvitjet ushtarake Reagimi i Shpejtë 22, etj.

Por veprimtaritë ushtarake dhe politike janë të lidhura ngushtë me komunikimin e tyre dhe me aftësinë për t’i sjellë sa më afër dhe sa më saktë qytetarëve. Nëse dhe si qytetarët do të kuptojnë mënyrat se si ne punojmë çdo ditë për të ruajtur sigurinë e tyre varet nga komunikimi dhe hapja jonë.

Edhe pse në qarqet e sigurisë ndonjëherë mbizotëron mendimi se kur nuk diskutohet për sigurinë në publik do të thotë se siguria po bën punën e saj, unë personalisht nuk jam dakord me atë tezë. Besoj se në epokën e dezinformatave dhe sulmeve hibride, pikërisht komunikimet strategjike kanë rolin më të rëndësishëm në luftën dhe shpërndarjen e informacionit të saktë dhe të verifikuar tek qytetarët, në krahasim me dezinformatat që kanë për qëllim të krijojnë trazira dhe frikë.

Pushtimi ushtarak i Rusisë në Ukrainë dhe rritja masive e dezinformatave që e rrethojnë atë, na kanë treguar se komunikimet mund të kenë një ndikim serioz përçarës dhe një ndikim i tillë duhet luftuar. Është e vërtetë që Ukraina në këtë moment po e trajton shumë mirë luftën e informacionit, për të cilën kanë mbështetjen e të gjithë neve, por është kjo luftë informative që na tregon rolin e komunikimeve në stabilitetin e një vendi dhe një rajoni.

Komunikimi dhe sfera e informacionit nuk kanë qenë kurrë më të rëndësishme për sigurinë dhe stabilitetin se sot. Kriza e sigurisë me të cilën përballet Evropa dhe bota, si dhe në sferën e informacionit përmes sigurisë kibernetike dhe sulmeve hibride, tregon se të gjithë ne, qoftë si anëtarë të NATO-s apo si vende evropiane, aq më tepër, si vende të Ballkanit, do të duhet të vazhdojmë fokus intensiv në këtë fushë.

Më lejoni, si përfaqësues i parë i Qeverisë, të theksoj se lufta kundër dezinformatave është një prioritet mbi të cilin punojmë si ndërsektorialisht në Qeveri, por edhe në partneritet me median dhe qarqet civile. Vetëm një qasje e bashkuar shoqërore mund të jetë përgjigja, pasi problemi i veprimeve hibride është kompleks dhe prek shoqërinë në tërësi.

Qeveria jonë dhe komunikuesit ministrorë kanë krijuar një sistem transparence në të cilin informacioni i saktë i verifikuar është lehtësisht i disponueshëm dhe është një burim në luftën kundër dezinformatave në baza ditore. Standardi dhe reputacioni i vendosur i hapjes dhe transparencës e bën keqinformimin të përgënjeshtrohet lehtësisht dhe përhapësit e tij të diskreditohen. Një proaktivitet i tillë ndihmon në reduktimin e përhapjes së dezinformatave.

Përgjegjësia për këtë qëndron mbi të gjithë ju, por kam besim se të gjithë jeni në lartësinë e detyrës dhe se po i përgjigjeni me sukses të gjitha sfidave.

Në fund do të përfundoj me një mendim të ngjashëm me të cilin e nisa. Si anëtare e NATO-s, ne udhëhiqemi nga Koncepti i Ri Strategjik dhe po punojmë për prezantimin më të rëndësishëm të asaj që është bërë brenda Aleancës, e cila po flet me të njëjtin zë. Të gjithë ne 30 anëtarë. Të gjithë ne mbi 300 në këtë dhomë. Ky është uniteti dhe forca e Aleancës.