11/12/2024

Historia e tyre e dashurisë është e denjë për përralla. Ajo një aktore e dashur për publikun, ai një princ, të dy së bashku një nga çiftet më të pëlqyera për publikun. Elia dhe Leka kanë zgjedhur ta jetojnë këtë histori dashurie larg syrit të publikut, duke preferuar që dashurinë ta shijojnë në oborrin e tyre mbretëror.

Prej tre vitesh, ata janë edhe prindër të Geraldinës, vogëlushes së tyre. Por, teksa gjithçka dukej në rregull nga kjo dyshe, disa lajmë kanë çuditur jo pak opinionin publik. Nëse ndiqni në “Instagram” Elia Zaharinë dhe princin Leka, mund ta keni vënë re se prej kohësh ata nuk publikojnë foto bashkë dhe për ditëlindjen e vjazës së tyre Geraldinë, ata nuk u shfaqën së bashku.

Elia publikoi disa foto nga ditëlindja dhe askund nuk shihet princ Leka, çka ka ngjallur dyshime se mund të jenë duke kaluar një krizë në çift, ose janë ndarë në heshtje. Princ Leka e ka uruar në “Instagram” vajzën, me një foto dhe një dedikim ku shkruan: “Gëzuar ditëlindjen vajza ime! U realizofshin të gjitha dëshirat e tua, mezi pres të shoh se çfarë aventurash emocionuese do të na sjellë viti i ardhshëm”.

Prej kohësh, Elia dhe Leka nuk shfaqen bashkë as në evente dhe ngjarje të ndryshme ku ka qenë i ftuar princi. Më parë, Elia e shoqëronte në çdo event të rëndësishëm bashkëshortin. Por, përpos ngjarjeve, ata nuk kanë publikuar prej kohësh një foto së bashku.

Një tjetër “provë” që ngre dyshimet se ka një krizë në çift, është fakti që princi Leka nuk e ndjek në “Instagram” Elian, ndërkohë që kjo e fundit e ka “follow”. Prej shumë kohësh, ata nuk shihen më së bashku as në jetën sociale të Tiranës, ku edhe shpesh i shihnim të kapur përdore.

Duket se kriza mes tyre është mëse reale, për sa kohë vetë Leka ka zgjedhur ta heqë bashkëshorten e tij nga “Instagram”-i, një shenjë kjo që na zbulon shpesh për dinamikat e një çifti, e këtë herë të një çifti mbretëror.

Prej 15 vitesh që ky çift është bashkë, kjo është hera e parë që diskutohet për një ndarje. Kjo për faktin se të dy kanë preferuar që në këtë histori të tregojnë vetëm detajet e ëmbla, duke transmetuar një histori me baza të forta, por që duket se tashmë është lëkundur. Në intervistat e pakta të dhënë, të dy kanë folur me nota romanticiteti, teksa i riktheheshin njohjes së tyre.

“Jemi njohur në 2008- n dhe atëherë filloi një histori e bukur miqësie që gradualisht na solli gjithmonë e më pranë njëri-tjetrit. Distanca ishte e vështirë dhe zgjati rreth dy vite, por e kaluam me dëshirën për ta çuar përpara njohjen tonë.

Të them të drejtën, pavarësisht se kanë kaluar disa vite, nuk e kam ndjerë shumë kohën. Kjo besoj është si rezultat i një lirie që gjejmë në mardhënien tonë, ku secili është krejtësisht i pavarur në angazhimet profesionale, në miqësitë dhe zgjedhjet që bën. Kjo i ka dhënë frymëmarrje mendoj kësaj mardhënieje, duke mos e bërë të rëndë dhe imponuese. Për natyra të pavarura si ne, besoj ky është një çelës shumë i rëndësishëm”, shprehej Elia vite më parë, duke na zbuluar më shumë detaje nga historia e saj më princin.

Një anë tjetër, të sajin ajo e ka zbuluar edhe duke folur për Lekën si baba, duke na zbuluar imazhin ndryshe të Princit.

“Leka është shumë i përkushtuar dhe i jep shumë dashuri dhe vëmendje vogëlushes sonë. Natën ai zgjohet më lehtë se unë dhe është shumë i kthjellët. Unë dua pak më shumë kohë deri sa të më ikë përgjumja… Zakonisht, është i qetë dhe nuk bën panik, por kujdesin e ka njësoj si unë. Kjo më jep shumë besim dhe qetësi, pasi e kam mbështetje në çdo moment. Jam shumë e lumtur për përkushtimin e tij, madje nuk e kam imagjinuar që do ishte kaq i dhënë pas vajzës!”, shprehej ajo.

E teksa e shikojmë ende përkushtimin e Lekës si baba, vështirë se mund të themi se shikojmë ende një histori dashurie e denjë për përralla. Nuk dihet nëse ky është vetëm një moment krize mes tyre, apo dyshja i ka dhënë fund përfundimisht martesës së tyre.