20/07/2024

Komisioni Rregullator për Energjetikë dhe Shërbime të Ujit (KRRE) sot duhet të publikojë çmimin e ri të energjisë termike në Shkup, i cili do të aplikohet nga nesër.

Çmimin e ri, për të cilin KRRE dje mbajti seancë përgatitore, do ta kumtojë në konferencë për shtyp kryetari i KRRE-së, Marko Bislimoski.

Sipas paralajmërimeve të Bislimoskit, çmimi i ngrohjes qëndrore nuk do të rritet për më shumë se 5 për qind, përkatësisht, siç thotë ai, rritja do të lëvizë deri maksimum nga 50 deri në 60 denarë në muaj.

Vendimi për çmimin e ri është dashur të merret në gusht të këtij viti, por është shtyrë për shkak të dëmtimit të tubit të ngrohjes në urën “Belasica”, të cilit i është vënë flaka dhe është pritur fillimi i punimeve për sanim. Normalisht, KRRE merr dy vendime për ngrohjen qëndrore në vit, i pari në fillim të gushtit dhe i dyti në dhjetor. Këtë vit, siç tha Bislimoski, do të marrin vetëm një vendim për çmimin që do të jetë i vlefshëm gjatë gjithë vitit.

Në Shkup ka rreth 60.000 përdorues të energjisë termike. Në zonat ku ka ngrohje qëndrore, trafostacionet nuk janë të dimensionuara për ngrohje me rrymë, prandaj Bislimoski pret që të vazhdojë subvencionimi i çmimit të ngrohjes nga Qeveria.

Me vendimin për çmimin e ri duhet të kthehen edhe gjashtë milionë eurot që në janar të vitit 2022 i dha Qeveria për blerjen e gazit natyror për nevojat e ngrohjes qendrore në Shkup.