Kryeministri shqiptar, Talat Xhaferi, sot zhvilloi takim me eurodeputetin Ilhan Kyuchyuk, raportues në Parlamentin Evropian për Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Siç njoftojnë nga kabineti i tij, kryeministri Xhaferi theksoi kënaqësinë për mbështetjen nga ana e Kyuchyuk në promovimin e dosjes evropiane të Maqedonisë së Veriut në Parlamentin Evropian dhe kontributin e tij personal në marrjen e vendimeve të rëndësishme për vendin.
“Kryeministri Xhaferi dhe eurodeputeti Kyuchyuk shkëmbyen qëndrime për reformat e arritura në shtet, si edhe për dinamikën e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se vazhdimi i procesit të zgjerimit është në interes të Bashkimit Evropian dhe në këtë mënyrë, shtetet e Ballkanit Perëndimor do të përqendrohen në forcimin e zbatimit të proceseve reformuese”, thuhet në njoftim për takimin në mes Xhaferit dhe Kyuchyuk.
Gjithashtu theksohet se duke i uruar zgjedhjen e kryetarit të Qeverisë, Talat Xhaferit, Kyuchyuk theksoi se kjo zgjedhje është sukses jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për rajonin, me ç’rast theksoi se Maqedonia e Veriut edhe një herë u bë shembull edhe për shumë vende evropiane për funksionimin e suksesshëm të demokracisë multietnike.