Miliona tenderë vetëm nga Komuna e Tetovës kanë përfunduar te “Eco-Peu”, kompani tetovare e cila edhe pse ka vetëm një të punësuar, në vitin 2023 ka marrë 9 tenderë me vlerë të përgjithshme prej 981,427 euro. A1on hetoi se kush është kompania “Eco-Peu”, e cila merr tenderë ekskluzivisht nga komuna e drejtuar nga kryetari i Besës, Bilall Kasami.
Firma u hap në maj 2021, pesë muaj para zgjedhjeve lokale në të cilat Kasami fitoi besimin e elektoratit. Emri i plotë i kompanisë është “Shoqëri për shërbime turistike dhe hoteleri Eco-Peu DOOEL Tetovo”, por pavarësisht kësaj, ajo merr një sërë tenderash – nga mirëmbajtja e vazhdueshme deri në ndërtimin e unazës nga fshati Lisec në Kodrën e Diellit. “Eco-Peu” i merr të gjithë këta tenderë të ndryshëm, edhe pse përveç të ardhurave të shtuara, mbetet vetëm me një punonjës.
Pronarja është Habibe Bajrami, e cila ka themeluar kompaninë nën aktivitetin “Resorte dhe objekte të tjera për qëndrime të shkurtra”. Në fillim të vitit 2023, aktiviteti kalon në “Veprimtari shërbimi që lidhet me transportin tokësor”, aktivitete që nuk lidhen në asnjë mënyrë me mirëmbajtjen aktuale, aktivitetet e ndërtimit, mirëmbajtjen dimërore apo lidhjet e ujësjellësit, tendera që janë marrë në komunë.
Tenderat që “Eco-Peu” ka marrë në vitin 2023
Në tenderët në të cilët merr pjesë kompania e Bajramit, Komuna e Tetovës ka vendosur që të mos kërkojë raporte financiare, e as projekte referente, edhe pse kompania ka funksionuar me humbje në vitin 2021, kur është themeluar. Të hyrat e kompanisë në vitin 2022 u rritën në mënyrë dramatike – nga humbja prej gati tre mijë euro në minus në vitin 2021, vitin e ardhshëm kompania kishte të hyra prej 154,180 euro, dhe e mbylli vitin me fitim prej 11,351 euro.
Bajrami, nga ana tjetër, ka lidhje adresash me mbi 20 persona, shumica sipërmarrës – Disa nga personat me të cilët ka të njëjtën adresë kanë hapur kompani para më pak se një viti, ndërsa disa kanë kompani të mëparshme, si p.sh. Klubi i Karatesë Khalid, i hapur nga disa të regjistruar në të njëjtën adresë.
A1on ka dërguar pyetje në Komunën e Tetovës se si kjo kompani e hapur në vitin 2021 është zgjedhur për ndërtimin e unazës, por edhe për kryerjen e punëve të tjera, duke pasur parasysh se ka vetëm një të punësuar, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje.