Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, padyshim është një fenomen “interesant” i skenës politike, ndër më ambiciozët i cili mendon se mund të prishë qeveri e të vijë vetë në pushtet, njeri që don të krijojë unitete politike kombëtare, dhe siç është vërejtur edhe më parë, që nuk nguron të kalojë nga një partner politik në tjetër dhe që s’ka peris të akuzojë të tjerët që hyjnë në koalicion ku ka qenë ai vetë më parë!
Ky është Bilall Kasami, lideri i Lëvizjes Besa, njeriut që thirret në unitetin opozitar, i cili i pari ishte që përçau jo vetëm opozitën por dhe partinë. Kjo dihet botërisht. Prandaj habit optimizmi i tij se mund ta bashkojë opozitën shqiptare dhe se ajo ka kapacitet të ndërrojë nga pushteti BDI-në dhe të gjitha partitë tjera në Qeveri! Si mundet të krijojë unitet dikush, të cilit nga partia e braktisin bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë!
Pjesa më interesante e intervistës së fundit në Alsat është kur i vërsulet Zijadin Selës duke e quajtur atë “opozitar të rrjeshëm”. Gjërat duken të palogjikshme nga vetë formulimi, sepe partia e Zijadin Selës është në pushtet dhe nuk mund të kërkosh nga dikush të jetë opozitar i pushtetit ku merr pjesë.
Por, dihet nga nënteksti, se Kasami ka “hamle” me partinë e Selës sepse ajo tash është në pushtet, ku, nëse e shikojmë historinë politike, ia ka zënë vendin pikërisht Besës. Mirëpo ka një dallim qenësor. Aleanca për Shqiptarët pozicionin e vet në zgjedhje e ka falë trupit të saj votues, ndërkaq Lëvizja Besa ishte në pushtet falë trupit votues të LSDM-së, me të cilën shkoi në zgjedhje në listë të përbashkët, si një formulë shpëtimtare, dhe që për arsye të pakuptuara deri tash, iku si bukëshkalë. Për të qenë më keq, Lëvizja Besa doli nga ky koalicion, për t’i ndihmuar VMRO-së së diskredituar që të kthehet në pushtet, që u tregua një matematikë e gabuar, sepse vendin ia zuri Alternativa e Afrim Gashit, me të cilën i kishin ndarë lugë e çanakë më parë, e që tash prapë duke harruar gjitha të palarat që ia nxirrnin njëra tjetrës, përpiqen të krijojnë unitete false, vetëm për interesat e mbijetesës politike!
Sa për dëshpërimin nga Aleanca, pa u bërë avokat i tyre, mund të thuhet se kjo parti e kuptoi gabimin e bashkëpunimit me VMRO-në në zgjedhjet lokale, gjë të cilën nuk nguron e as e fsheh Kasami në nivel lokal dhe as më lartë!
Me çfarë morali mund të akuzosh dikë për diçka që ti e ke bërë edhe më shumë edhe më shpesh? Kjo vetëm një politikani si Kasamit i shkon për shtati, i cili nuk skuqet për veprimet që elektorati shqiptar nuk i shikon me simpati, siç janë allishverishet me forca që pengojnë rrugën eoroatlantike të vendit. /indeks.mk/