9.8 C
Skopje

Kuvendi debaton për gjykatësit kushtetues/ Partitë akuzojnë njëra-tjetrën për kandidat partiak

Që gjykata Kushtetuese të ketë gjykatës të mirë dhe me përvojë, VMRO-DPMNE në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime propozoi që 9 kandidatët për gjykatës të vijnë në komisionin amë, të prezantojnë biografitë e tyre e deputetët të mund t’i parashtrojnë pyetjet për dilemat e tyre. Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE siguroi se kjo procedurë nuk zvarrit debatin në Komision, ndërsa mund të vijnë vetëm ato gjykatës që janë të interesuar.

“Vlerësoj se do të jetë e dobishme për të gjithë, edhe për kandidatët për gjykatës kushtetues, edhe ekspertët, gazetarët dhe qytetarët që të mundemi personalisht të njoftohemi dhe t’i japim shansin që të prezantohen para Komisionit dhe qytetarëve”- deklaroi Antonio Milloshovski, deputet i VMRO-DPMNE.

Propozimi i tillë nuk u mbështet nga anëtarët e Komisionit, ndërsa kryetarja Marija Georgievska tha se një gjë të tillë nuk e parasheh as Rregullorja e Kuvendit.

“Vlerësoj se diskutojmë për kandidat që janë të propozuar edhe nga shumica edhe nga opozita të cilët janë të njohur në fushën e tyre dhe nga ekspertet e fushës dhe e dinë se saktësisht se për kë bëhet fjalë. Detyrimi jonë si komision është që propozimet e juaja të diskutohen dhe debatohen”- pohoi Marija Georgievski, kryetare e komisionit.

LSDM ka propozuar 3 kandidatë për gjykatës kushtetues, ndërsa VMRO-DPMNE 6. Fanica Nikollovska, nga LSDM thotë se kandidatët e VMRO-DPMNE-së janë kandidat partiak dhe jo ekspertë të fushës.

“Është keq që VMRO-DPMNE nuk heq dorë nga instalimet partiake në gjyqësorë, diçka që ishte karakteristikë e regjimit 11 vjeçar. Kjo shihet edhe tek propozimet e tyre për gjykatës kushtetues. Mes propozimeve të VMRO-DPMNE-së është Savo Klimovski, mbrojtës i betuar i regjimit. Ishte folës në protestat e para 27 prillit”- tha Fanica Nikollovska, deputete e LSDM.

Për gjykatës kushtetuese janë propozuar 9 kandidatë. Deputetët e shumicës parlamentare propozuan prokurorin publik republikan Ljubomir Joveski, gjyqtarin civil në Gjykatën e Apelit në Shkup Fatmir Skenderin dhe Tanja Vasiq-Bozaxhieva e cila punon në Ministrinë e Drejtësisë si këshilltare shtetërore për legjislacion civil. VMRO-DPMNE ka propozuar 6 kandidatë, profesorët universitarë Savo Klimovski dhe Rodna Zhivkovska, gjyqtarin në pension Branko Sekulovski, prokurorin Todor Vitlarov, gjyqtaren e Gjykatës Administrative Vesna Jovanovska dhe Vojisllav Dimovski, prokuror publik në Ohër.