Kuvendi i Republikës së Kosovës,
nën ombrellën e Forumit për Transparencë Parlamentare, ka shënuar Ditën
Ndërkombëtare të Demokracisë, raporton Ekonomia Online.
Nga institucionet kosovare thanë
se demokracia në vend është në një rang me shtetet tjera të botës, ndërsa nga
ndërkombëtarët u vlerësua lartë kontributi i Kuvendit në këtë drejtim.
Kryetari i Kuvendit, Glauk
Konjufca, tha se legjislativi çdo ditë synon që të promovojë vlerat e demokracisë.
“15 Shtatori shënon Ditën
ndërkombëtare të Demokracisë, e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara si ditë që
shënohet progresi në Kosovë si dhe vlerat demokratike që i realizojmë në
qeverisje”.
“Kuvendi i Kosovës edhe në ditët
tjera synon që ta promovojmë demokracinë, e synon që ta bëjmë sa më
transparencë”, tha Konjufca.
Drejtoresha e NDI-së për Kosovë,
Nancy Soderberg, konsideron se për këto vite të pasluftës është bërë shumë punë
në shtet ndërtimin e Kosovës.
Unë kam qenë pjesë e administratës
së ish- presidentit Bush, dhe ta shohësh sesa ka arritur Kosova për 20 vite
është me të vërtetë e mrekullueshme. Jemi krenar për punën e forumit që ka
punuar në forcimin e demokracisë. Jemi krenar me mbështetjen e USAID dhe Kosova
është bërë një nga shtetet parlamentare demokratike në botë”, tha ajo.
Koordinatorja e Ekipit të Kombeve
të Bashkuara në Kosovë (UNKT), Arnhild Spence, foli për lirën e medieve dhe tha
se është e rëndësishme që bashkërisht t’i luftojmë lajmet e rrejshme, raporton
EO.
“Tema është shumë e rëndësishme
për Ditën e Demokracisë dhe dua të theksoj rëndësinë e një medie të lirë e
pavarur. Tema e lirisë së medieve është mesazhi i parë, duke e parë rëndësinë
që duhet bashkërisht t’i luftojmë lajmet e rrejshme e dukuri tjera negative dhe
është e rëndësishme se Kosova është duke e shënuar ditën ndërkombëtare për
personat me nevoja të veçanta”, tha ajo.