27/03/2025

Ilhan Kyuchyuk, raportues në Parlamentin Evropian për Republikën e Maqedonisë së Veriut, në takimin e sotëm me kryeministrin Talat Xhaferi, ka uruar për zgjedhjen e tij, duke thënë se kjo zgjedhje është sukses jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për rajonin, me ç’rast theksoi se Maqedonia e Veriut edhe një herë u bë shembull edhe për shumë vende evropiane për funksionimin e suksesshëm të demokracisë multietnike, raporton indeks.mk

Siç njoftojnë nga kabineti i tij pas takimit të sotëm në Shkup, kryeministri Xhaferi theksoi kënaqësinë për mbështetjen nga ana e Kyuchyukut në promovimin e dosjes evropiane të Maqedonisë së Veriut në Parlamentin Evropian dhe kontributin e tij personal në marrjen e vendimeve të rëndësishme për vendin.

Në takim u shkëmbyen mendime për përparimin e shtetit në kontekst të integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe për situatën e brendshme politike para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe presidenciale.

Kryetari i Qeverisë, Xhaferi, ka thënë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet synim strategjik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, andaj zotim i fuqishëm i Qeverisë mbetet përmbushja e obligimeve që janë pjesë e kornizës së negociatave me BE-në./indeks.mk/