9.8 C
Skopje

Maqedonia e Veriut nuk do të dërgojë ushtarë në Ukrainë

Maqedonia e Veriut nuk do të dërgojë ushtarë në Ukrainë, theksoi sot ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska.

Ajo nuk tregoi se çfarë pajisje ushtarake do të dërgohen në Ukrainë, si dhe as çfarë ka në kërkesën e klasifikuar dërguar disa vendeve, përfshirë edhe Maqedoninë.

“Nuk ka asnjë vendim për të dërguar ushtarë në Ukrainë dhe nuk do të ketë. Ne jemi anëtare e NATO-s, do të respektojmë të gjitha vendimet. Deri më tani, ne po i bashkohemi sanksioneve të vendosura nga BE-ja. Siguruam pajisje ushtarake dhe armatim me kërkesë të autoriteteve ukrainase”.

“Kërkesa e tyre ishte e klasifikuar, ndaj vendimi ynë është i klasifikuar. Ne dhamë informacione sepse donim të ishim transparent. Ndihma është në përputhje me kërkesat. Donacioni nuk e zvogëlon armatimin dhe kapacitetin e Armatës sonë”, tha Petrovska.

Ndërsa në lidhje me pranimin e refugjatëve, Petrovska tha se shikohen kapacitetet dhe çfarë mund të ndërmerret në këtë drejtim.