Më 21 tetor në Shtëpinë e Kulturës “Koço Racin” në Shkup, do të mbahet manifestimi tradicional letrar “100 mijë Poetët e botës për paqe dhe ndryshim” në organizim të Shoqatës ABC – Poetike. Ky manifestim poetik është një ngjarje kulturore e rëndësishme që organizohet në 140 vende të botës, ndërkaq nga Shkupi do të dërgojnë mesazhin e paqes nëpërmjet poezive të tyre poetët nga të gjitha trojet shqiptare.
“Për ne si shoqatë e shkrimtarëve ABC – poetike, manifestimi “100 mijë poetët e botës për paqe dhe ndryshim” i cili organizohet nga shoqata jonë është shndërruar në një manifestim tradicional, dhe ky vit është viti i pestë me radhë.”, thotë për indeks.mk, kryetari I kësaj shoqate, Vullnet Sadiku
Ky është një manifestim me rëndësi të madhe kulturore, thotë ai, dhe e veçanta e tij është se përveç Maqedonisë, të njëjtën ditë organizohet në 140 vende të botës.
Sadiku gjithashtu u shpreh se përmes këtij manifestimi, synojnë të transmetojnë një mesazh publikut që paqja të sjellë ndryshim në të gjitha vendet. Poezitë që do të lexohen kanë fokus të veçantë në paqen botërore.
“Ne duam t’i përçojmë publikut një mesazh që bota me anë të paqes të sjelli ndryshim, në çdo vend të ketë vetëm paqe prandaj dhe poezitë të cilat do të lexon si fokus kryesor do ta kenë vetëm paqen e botës.”
Shoqata nëpërmjet rrjeteve sociale fton poetët Maqedonia, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi e trojet tjera ku jetojnë shqiptarët që të paraqiten në këtë manifestim. Ndër emrat që pritet të marrin pjesë janë Flora Brovina, Diellza Çitaku, Ferida Ismani etj.