Trajneri Xavi Hernandez beson se Barcelona ka të ardhme të madhe, pasi tashmë ka shumë talentë në gjirin e saj.
Xavi ka qenë shumë i kritikuar kohëve të fundit pas eliminimeve të njëpasnjëshme të Barçës nga Superkupa e Spanjës dhe Kupa e Mbretit.
Megjithatë, trajneri spanjoll ka besim në të ardhmen e ekipit dhe këtë ua ka bërë të ditur tifozëve të klubit nga Camp Nou.
“Më besoni, Barcelona ka të ardhme shumë të mirë dhe nuk po flas për veten time”, ka thënë fillimisht Xavi.
“Po flas për të rinjtë, prandaj po i inkuadroj, dua shumë që të jenë gati për të ardhmen”.
“Nuk ka të bëjë që unë të jem menaxher apo jo. Këta djem janë të veçantë”, përfundoi trajneri spanjoll.
Xavi është trajneri që u ka dhënë më shumë mundësi të rinjve te Barça me mbi 10 adoleshentë nga La Masia që kanë debutuar nën drejtimin e ish-mesfushorit.
Barcelona ka luftuar për qëndrueshmëri këtë sezon, por lojtarë si Lamine Yamal, Hector Fort dhe Pau Cubarsi i japin katalunasve një fije shprese për atë që do të vijë.