09/12/2024

Një nga mënyrat më të mençura për t’u ushqyer shëndetshëm është përgatitja e shumë përbërësve vetë në shtëpi, edhe e atyre produkteve që duket se gjenden vetëm në markete apo dyqane.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë të gjithë hapat që duhet të ndiqni për përgatitjen e majasë natyrale të bukës dhe recetave të tjera me bazë brumi krejt lehtë në shtëpi.

Do t’ju duhen thjeshtë dhe vetëm dy përbërës dhe pak durim e kujdes.

Përgatitja e Majasë Natyrale në Shtëpi    

Përbërësit

  • 200 gr miell
  • 100 ml ujë

Përgatitja

Shtoni miellin në një tas dhe hidhni pak nga pak ujin duke e trazuar përmes një luge. Më pas punojeni me dorë derisa të krijohet një topth i vogël, i butë.

Vendoseni brumin e përgatitur duke e ngjeshur në fund të tasit dhe mbulojeni me pecetë apo peshqir të lagur kuzhine duke e puthitur mirë sipërfaqen e tasit. Kjo do të ndihmojë në shmangien e krijimit të një koreje të fortë në sipërfaqen e brumit. (Por në rast se korja krijohet atëherë hiqeni me kujdes nga sipërfaqja e brumit)

Mund të vendosni edhe një pjatë pasi ta keni mbuluar tasin me pecetën apo peshqirin e kuzhinës.

Lëreni në temperaturë ambjenti për një ditë të plotë.

Ditën tjetër, pasi të kenë kaluar 24 orë, shtoni në tasin ku keni brumin 100 gr miell dhe 50 ml ujë.

Përziejeni me brumin që keni në tas dhe pasi masa të jetë bërë homogjene mbylleni sërish dhe lëreni të pushojë në temperaturë ambjenti edhe për një ditë tjetër.

Ditën e tretë, shtoni sërish 50 gr miell dhe 25 ml ujë, punojeni me brumin që keni lënë për t’u fermentuar. Mbulojeni tasin apo kavanozin ku keni brumin përherë me një pecetë të lagur kuzhine dhe lëreni të pushojë në temperaturë ambjenti.

Kontrollojeni herë pas here duke nuhatur aromën e brumit që po fermentohet. Nëse ka një aromë të mirë dhe jo acidike vijoni përditë të rifreskoni brumin e majasë me pak miell dhe ujë. Gjithmonë në raportin 2 me 1. Pra, në rast se shtoni dy lugë gjelle miell atëherë do t’ju duhet një lugë gjelle ujë.

Ky proces duhet të zgjasë për 15 ditë dhe atëherë majaja natyrale për të përgatitur bukën vetë në shtëpi por edhe receta të tjera me bazë brumi është gati.

Pas 15 ditësh, brumin e majasë që keni përgatitur mund ta ruani në frigorifer në një enë që mbyllet shumë mirë me kapak të puthitur. Dhe mund ta ruani ashtu për 7 ditë, kohë në të cilën edhe mund ta përdorni.

Pas shtatë ditësh duhet ta risfreskoni me pak miell dhe ujë në raportet 2 me 1 si më sipër për të siguruar që majanë natyrale të bukës do ta keni përherë në kuzhinën tuaj.

Majanë e përgatitur vetë duhet ta përdorni një orë pasi e keni nxjerrë nga frigoriferi.

Ndërkohë pasi keni marrë pjesën që duhet,  brumin e majasë mund ta rifreskoni me pak miell dhe ujë dhe tani punoni derisa masa të bëhet homogjene. Pas kësaj lëreni edhe një orë tjetër në temperaturë ambjenti e më pas ruajeni në frigorifer./AgroWeb.org