-1.2 C
Skopje

Mesazhi i “gradonaçallniçkës” Danella për 8 Shtatorin: Vetëm mediat maqedonase mund të përkrahen!

-Ajo me ndarjen diskriminuese të mjeteve për portalet dhe televizionet, e rikthen diskriminimin e viteve 90-të, që ishin gjeneratorë ndasish e krizash të vazhdueshme. Ndaj votuesve dhe qytetarëve shqiptarë ajo sillet me atë fjalën popullore “ta ha bukën dhe ta përmbys kupën”!

Kush do të thoshte se Danella Arsovska, ajo zonja e buzëqeshur, do të rikthejë do situata të kaluara, të cilat ishin gjeneratorë të mosmarrëveshjeve brenda shoqërisë sonë, përplot diskriminim e padrejtësi. Lëvizjet femërore shpesh kanë zhvilluar beteja për barazi gjinore dhe kanë kërkuar më shumë kyçje të femrave në të gjitha nivelet drejtuese, duke argumentuar se pikërisht femrat sjellin më shumë sensitivitet e kreativitet në politikë…Por, shembulli i Danellës gjithnjë e më tepër po na mëson se asgjë nuk mund të gjykohet bardh e zi. Kjo zonjë, e cila e mori Shkupin me dhjetëra mijë votash të opozitës shqiptare, vendimtare  për ta mundur Shilegovin, dëshmon atë thënie shqiptare “ta ha bukën, e ta përmbys kupën”! Kurrëfarë ndjeshmërie për laryshinë shoqërore e etnike, kurrëfarë ndjeshmërie a falënderimi të paktën për ata shqiptarë që menduan se bëjnë mirë kur ia japin votën asaj. Danella Arsovska, sa më tepër që po largohet nga dita votimit për të marrë drejtimin e Shkupit, gjithnjë e më tepër po kthehet te ajo filosofi politike e gabuar, te ajo mendësi dhe ai egoizëm etnocentrik e nacionalist, që kujtuam se koha e ka shkelur më.

Gjesti i saj i para më shumë një muaji kur ndërroi drejtorin shqiptar të Higjienës Komunale(kuadër e Aleancës për Shqiptarët) për shkak të një gafe të një familjari të tij, kujtuam se ishte një gjest i ngutshëm në afekt i Danellës.  Por, ajo në veprimet e veta duket se gjithnjë e më pak ka rastësi. Sepse, nuk është rastësi, dhe këtu do të duhej të kërkonim edhe simbolikën, që një ditë para Ditës së Pavarësisë, 8 shtatorit, ajo publikon (sigurisht për të treguar një sukses të saj!) përkrahjen që Qyteti i Shkupit, pra ajo si kryetare, ua ka ndarë mediave. Dhe, cila është simbolika: ajo u ka ndarë mjete portaleve dhe televizioneve në gjuhën maqedonase, dhe nuk e ka parë të arsyeshme t’ua ndajë as një “metelik” medias shqiptare!

Çka të thuash për këtë simbolikë?  Ky është kthim në atë moton “Maqedonia maqedonasve”, jo  të asaj të hershmes, historikes, që ka pasë konotacion gjithëpërfshirës, por të kësaj më të resë e nacionalistëve  maqedonas që haptas e shprehnin, me fjalë e me veprime, se Maqedonia është e maqedonasve dhe se maqedonasit duhet ta udhëheqin, se maqedonasit duhet t’i gëzojnë të gjitha të mirat, kurse të tjerët këtu duhet “të bajnë ujë!”. Ja kështu e ka konceptuar shtetin dhe atë që qytetarët ia kanë besuar Danellës: buxhetin. E buxheti, pavarësisht se çfarë ndjenjash ka ndaj të tjerëve, e mbushin të gjithë në këtë shtet, kurse ajo e di se Shkupi është një qytet i përzier etnikisht, sikundër që është edhe shteti. Dhe se nuk duhet të harrojë se një nga çështjet e barazisë është pikërisht qasja te benefitet që dalin nga buxheti, si një parakusht për barazi.

Ajo harron se Marrëveshja e Ohrit e ka në qendër të vet barazinë. Barazia është futur madje dhe si kategori numerike në kushtetutë, ndaj dhe insistohet me ngulm qoftë në përfaqësim, qoftë në mjetet buxhetore dhe në shumë fusha të tjera, që të mos lejohet voluntarizmi i akëcilit pushtetar i cili mund të mendojë se mjetet me të cilat është mbushur arka e shtetit, mund t’i ndajë sipas qejfit kujt të dojë e si të dojë, pa kurrfarë përgjegjësie. Ja, kjo është Danella, buzëqeshja e së cilës, gojëmbëlsia e së cilës në fushatë dhe marrëveshjet përtej vullnetit të qytetarëve, bënë edhe partitë opozitare shqiptare për ta përkrahur, sot më nuk përfill askënd, e as ndjen borxh moral e institucional!

Çkado që të thuash, ngado që ta shikosh, Danella na e dha mesazhin para Ditës së Pavarësisë se si i shikon  raportet në shtet dhe ato në kryeqytet.

Vetëm nuk i kuptojmë ata përfaqësues shqiptarë që i dhanë përkrahje përse e kanë futur kokën në rërë si struci. Të paktën t’u kishte ndarë ndonjë qindarkë ndonjë portali a televizioni të afërt me ta!/indeks.mk.