Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë ndaj mësuesve në shënimin e 7-Marsit, Ditës së Mësuesit. Ministri Shaqiri ka theksuar se suksesi i mësuesve gjëmon në të gjitha fushat ku sot ata janë profesionistë, dhe se mësuesit janë ata që ndryshojnë botën me punën e tyre të palodhshme. Ai ka vënë në dukje se sytë e nxënësve janë të fokusuar tek mësuesit si shembuj për t’u ndjekur.
Shaqiri gjithashtu ka thënë se do të vazhdojë të jetë në anën e mësuesve, siç ka bërë gjatë mandatit të tij, duke iu referuar rritjes së rrogave të mësuesve si një shenjë të konsideratave të larta që ai ka për ta.
“Sot e shënojmë 7-Marsin, kombëtarisht këtë festë e njohim si Dita e mësuesit. Kjo ditë është simbolikë për t’ju thënë edhe njëherë FALEMINDERIT për misionin që e kryeni, sepse të gjithë ne, çdo ditë tjetër të vitit e festojmë kontributin tuaj. Suksesi juaj gjëmon gjithandej në fushat në të cilat hapërojmë sot si profesionistë kurse dikur ishim nxënësit tuaj.
Ju jeni ata që e ndryshoni botën! Sytë e nxënësve janë kah ju, sepse ju jeni shembulli që ata ndjekin.
Konsideratat e larta për ju, në periudhën sa jam Ministër i Arsimit dhe Shkencës i dëshmova me rritjen e rrogave të juaja dhe ky synim po vazhdon. Dua t’ju siguroj që unë gjithmonë jam në anën tuaj.
Urime Dita e mësuesit, 7 – Marsi”, tha Shaqiri në një post të publikuar në facebook.
Me rastin e 7 Marsit, Shaqiri u ka bërë një vizitë studentave të vitit të katërt në Universitetin e Tetovës, në Fakultetin Pedagogjik. Shaqiri ka theksuar rëndësinë e misionit të mësuesve dhe ka ndarë vizionin e tij për arsimin e brezave të ardhshëm, të cilët tashmë po përgatiten për të qenë mësimdhënësit e ardhshëm.
Statusi i plotë:
Sot me rastin e 7 Marsit – Dita e mësuesit, takova studentet e vitit të IV-të nga Universiteti i Tetovës, që studiojnë në programe të ndryshme studimore në Fakultetin Pedagogjik , në shoqëri të Prof.Dr. Rabie Murati dhe asistentes Agnesa Besimi.
Qëllime të pastërta, të vetëdijshme që ky profesion është një mision dhe plane plot se si do t’i edukojnë brezat e ardhshëm.
Lulet e para si mësimdhënëse të ardhshme i pranuan sot nga une si Ministër i Arsimit dhe Shkencës ndërsa nga viti i ardhshëm shpresojmë që të fillojnë kontributin e tyre në arsim dhe urimet më të bukura ti pranojnë ga nxënësit e tyre. /Indeks.mk