Ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, ka njoftuar se sot në mesditë do të aktivizohet sistemi i paraqitjes elektronike në Konkursin për mbështetjen e projekteve me interes kombëtar dhe publik në fushën e kulturës për vitin 2024.
Gjatë konferencës për media, ajo theksoi se prioritetet kryesore për çdo aktivitet dhe sektor mbeten të njëjta, të cilat janë “cilësia, inovacioni dhe kreativiteti”.
Ministrja theksoi ndryshimet dhe inovacionet në konkursin për mbështetjen e projekteve me interes kombëtar dhe publik në fushën e kulturës për vitin 2024.
“A duke u bazuar në nevojat dhe trendet e fundit, Ministria ka shtuar një program të ri buxhetor për vitin 2024 – industritë kreative. Kjo do të thotë se në propozim-buxhetin për vitin 2024 do të ketë një program të veçantë financiar për industritë kreative. Kushtet, rregullat dhe prioritetet e aplikimit për programin e ri të industrive kreative janë publikuar në faqen zyrtare të internetit”, tha ajo.
Kostadinovska-Stojçevska sqaroi se ky konkurs ka të bëjë vetëm me fushat dhe aktivitetet që janë pjesë e industrive kreative dhe nuk përfshihen në konkurse të tjera dhe deri më tani nuk kanë pasur mundësi për të marrë mbështetje financiare.
“Industritë kreative janë një faktor i rëndësishëm për ekonominë, krijimin e vendeve të reja të punës, sjelljen e fitimeve, por gjithashtu promovojnë identitetin kulturor. Ngritja e programit të ri buxhetor për mbështetjen e industrive kreative është një investim në potencialin tonë intelektual dhe një mbështetje sistematike për industrinë e modës, pasi kreativiteti, inovacioni dhe origjinaliteti janë ato që e ngrisin kulturën në nivel të lartë”, shtoi ajo.
Në konkursin e këtij viti për financimin e projekteve me interes kombëtar dhe publik në fushën e kulturës, ka ndryshime edhe në pjesën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në tre fusha që më parë ishin të përfshira në të njëjtin aplikim – veprimtaria e bibliotekave, veprimtaria e muzeve dhe trashëgimia kulturore jomateriale (mbrojtja e trashëgimisë kulturore të paluajtshme dhe audio-vizuale).
Për projektet me natyrë ndërkombëtare, për vitin e ardhshëm është paraparë mbështetje financiare për iniciativat dhe projektet që synojnë avancimin e dialogut strategjik me SHBA-në, përforcimin e bashkëpunimit me shtetet anëtare të Iniciativës “Ballkani i Hapur”, si dhe projektet që kanë të bëjnë me lidhjen me diasporën.
“Projektet që do të na promovojnë në qytetet kryesore kulturore evropiane për vitin 2024, si dhe vendet kryesore të BE-së për vitin e ardhshëm, do të kenë prioritet”, tha ajo.
Afati për paraqitjen në Konkursin për mbështetjen financiare për projekte me interes kombëtar dhe publik në fushën e kulturës për vitin 2024 është deri më 6 nëntor.