Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ), ka njoftuar se është në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët e Maqedonisë së Veriut, që u gjendën në zonat e prekura nga moti i keq në shtetin fqinj – Greqi, respektivisht në rajonin e Agios Ioanis, në lindje të Pelionit në Magnezia, Thesalia juglindore.
“Bëhet fjalë për 15 qytetarë tanë, të gjithë janë në vend të sigurt dhe në gjendje të mirë. Diplomatët tanë janë në kontakt edhe me përfaqësuesit e vetëqeverisjes lokale ku informohen për lokacionet ku ndodhen qytetarët tanë. Në Greqi, institucionet informojnë se po punohet intensivisht për pastrimin e rrugëve; autoritetet po marrin të gjitha masat për furnizimin e rajonit me ushqim dhe ujë, ndërsa problemi me furnizimin me energji elektrike tashmë është rregulluar”, thonë nga MPJ.