Mes tensioneve dhe debateve ndërmjet pozitës
dhe opozitës, u zhvillua mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me
procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, raporton
Ekonomia Online.
Krejt kjo si pasojë e kërkesës së deputetëve
të Lëvizjes Vetëvendosje për përjashtimin e deputetes Duda Balje dhe atij të
Listës Serbe, Ljubinko Karagjiq, pasi sipas tyre janë evidentuar mungesa të
shumta.
Pas debatit, deputetët e Lidhjes Demokratike
të Kosovës, Armend Zemaj dhe Rrezarta Krasniqi, kanë lëshuar mbledhjen e
Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në
sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022. Mbledhjen e lëshoi edhe deputetja
Duda Balje.
Deputeti i VV-së, Armend Muja, tha se kanë
identifikuar mungesa të tyre në disa seanca.
“Ne kemi dokumentuar pesë mungesa të deputetes
Duda Baljes, dhe i kemi identifikuar gjashtë mungesa të deputetit të Listës
serbe, Ljubinko Karagjiq. Ne i konsiderojmë se janë plotësuar kushtet dhe
kështu duhet të përjashtohen nga Komisioni dhe të zëvendësohen me të tjerë”,
tha Muja.
Në fillim të mbledhjes së sotme, kryetari i
Komisionit, Hajdar Beqa, tha se deputetja Balje nga pesë mungesa, tri i ka të
arsyetuara.
Sipas tij, edhe Karagjiq ka dërguar sqarime.
Ai tha se deputetja Duda Balje ka qenë në
vizita zyrtare dhe se kishte paralajmëruar mospjesëmarrjen. Derisa kërkesën e
Mujës e quajti ‘puro politike’.
“Këto kërkesa nga VV-ja janë puro politike,
sepse nuk po votojnë siç dëshironi ju”, tha ai.
Pas kësaj kërkese pati reagime dhe përplasje mes deputetit të PDK-së, Hajdar Beqës dhe deputetit të LVV-së, Arbër Rexhajt.

