Përkundër ekzistimit të një shumice të fortë parlamentare, Kuvendi i Kosovës nuk ishte mjaft produktiv gjatë sesionit pranveror, thonë monitorues të punës të legjislativit, sipas të cilëve, Qeveria dhe mazhoranca nuk punuan mjaftueshëm në miratimin e ligjeve, raporton Ekonomia Online.
Monitoruesit thonë se për ta ishte e
papranueshme edhe dështimi i shumë seancave si pasojë e mungesës së kuorumit.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i
Kosovës, organizatë që monitoron punën e Kuvendit, thotë se Qeveria dhe
Vetëvendosje kanë mundur të punojnë më shumë, teksa përmend edhe disa punë të
mira.
“Sesioni pranveror i punës së Kuvendit është
karakterizuar me mungesa të shumta të deputetëve dhe me dështimin e një numri
të madh të seancave në mungesë të kuorumit në votim, që ka ardhë si rezultat i
mospjesëmarrjes së deputetëve në procesin e votimit, pavarësisht se të njëjtit
kanë qenë fizikisht në seancë. Sidoqoftë në kuptim të numrave, ky sesion apo
kjo legjislaturë qëndron mjaftë mirë, meqenëse janë miratuar 87 projektligje që
përbëjnë më shumë se 2/3 e agjendës së paraparë legjislative që në fakt është
dyfishi i mesatares së zakonshme që i ka karakterizuar legjislaturat e
paraprake. Në kuptim të numrave kjo legjislaturë qëndron shumë më mirë sesa
legjislaturat paraprake, kryesisht edhe për shkak të faktit se shumica
parlamentare ka një numër të konsiderueshëm të deputetëve dhe është e
konsoliduar”, thotë Cakolli.
Ndonëse e sheh të mangët Rregulloren e re të
Punës së Kuvendit, Cakolli thotë se është një ndër punët më të mira në sesionin
pranveror.
Ai thotë se kjo rregullore do duhej t’i parashihte edhe sanksionet për deputetët që mungojnë në seanca.
“Një zhvillim mjaftë pozitiv sa i përket kësaj
legjislaturë është miratimi i rregullores së re të Punës së Kuvendit pas afro
12 vitesh iniciativa e tentativa për miratimin e saj. Ndonëse rregullorja e re
do të kontribuojë në avancimin e jetës parlamentare, serish nuk janë adresuar
disa prej çështjeve më bazike që ka Kuvendi, e që janë mospjesëmarrjet e
deputetëve në seanca dhe mospjesëmarrjet në procesin e votimit, pavarësisht se
të njëjti janë të pranishëm fizikisht. Me anë të rregullores është përcaktuar
pra që përmes një dokumenti që do të jetë Kodi i Etikës, do të trajtohen këto
çështje dhe do të jetë Kryesia si instancë përgjegjëse për të sanksionuar
deputetët, ndonëse ne kemi kërkuar që kjo çështje të rregullohet me anë të një
dokumenti siç është rregullorja e Punës”, tha tutje ai.
Edhe Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për
Drejtësi, thotë se kjo legjislaturë qysh në fillimet e saj është karakterizuar
me dështim të seancave për shkak të mungesës së kuorumit.
Ai thotë se është përgjegjësi e drejtpërdrejtë
e koalicionit qeverisës që të sigurojë të paktën shumicën e thjeshtë në Kuvend.
“Sesioni pranveror në fillim nuk është që ka
filluar në mënyrën më të mirë të mundshme. Mund të themi që Kuvendi i Kosovës
gjatë sesionit pranveror është ballafaquar me shumë vonesa, me vetë faktin që
shumë deputetë kanë munguar nëpër seancat plenare, kemi pasur shumë seanca të
cilat janë shtyrë qoftë për shkak të mungesës së kuorumit qoftë për arsye
tjera. Sidoqoftë nëse marrim për bazë në fund numrin e ligjeve që janë
miratuar, mund të themi se në seancën e fundit të sesionit pranveror ka arritur
ta ketë një efikasitet më të mirë sesa që e kemi paraparë apo është parë në
fillimet e saja. Çka është karakteristikë është fakti që siç duket Kuvendi dhe
Qeveria nuk është që e kanë një koordinim të mirëfilltë, për arsye se përderisa
Qeveria ka paraparë mund të themi një numër të madh të projektligjeve, kjo
shihet se është një mision i pamundur”, thotë Miftaraj.
“Kuvendi ka pasur hapësirë shumë më të madhe
për të funksionuar në mënyrë të mirëfilltë, me vetë faktin se kemi një numër të
madh të seancave të dështuara për mungesë të kuorumit dhe që partia në pushtet
ka një shumicë solide në Kuvendin e Kosovës dhe do të thotë se për ligje të
thjeshta i kanë pasur numrat, kjo thuajse nuk ka ndodhur në shumë seanca që
deputetët kanë munguar me apo pa arsye”, u shpreh ai.
Përparësi e mazhorancës, thotë Miftaraj, ka
qenë bashkëpunimi me opozitën për marrëveshjet ndërkombëtare, për të cilat
nevojiten 2/3 e deputetëve.
“Një përparësi që e ka pasur kjo legjislaturë apo partia në pushtet që ka pasur një mirëkuptim por edhe një bashkëpunim të mirë të partive opozitare. Përjashtimisht të një marrëveshje ndërkombëtare, të gjitha të tjerat të propozuara nga partia në pushtet, janë përkrahur nga opozita dhe janë miratuar. Kështu që kjo legjislaturë do duhej ta shfrytëzonte bashkëpunimin dhe qasjen shumë konstruktive opozita që e ka në raport me Ligjet të cilat janë në të mirë të qytetarëve për t’i shfrytëzuar numrat e saj për t’i miratuar këto ligje në Kuvend”, thotë Miftaraj për EO.
