-Dikush me ironi do të kishte thënë, po, edhe Mickoski është për Evropë, por atë që sheh nga Lindja?!
Shkruan: indeks.mk
Dikush do të kishte thënë “po çka se?”. Vërtet, po çka nëse…dikush shkon në vizitë në Budapest? Evropë. Kryeqytet i një shteti që është pjesë e BE-së. Çfarë ka për të dyshuar?
Po, vërtet, ç’e lidh kaq shumë Hristijan Mickoskin me Budapestin, saqë çdo vizitë e tij bëhet lajm medial?
Të mos rrehemi, nuk ka këtu shumë të panjohura. Prej se iku ish-lideri i tij, Gruevski, në Budapest, mediat shkruanin se ai shkon të takohet me të. Pale, ndonjë konsultë, ndonjë instruksion politik, ndonjë këshillë se si t’ia udhëheqë e ruajë partinë!
Nuk se Mickoski përpiqej t’u japë shumë sqarim këtyre spekulimeve mediale, edhe kur të shpeshtën, vizitat e tij “mbuloheshin” me ndonjë foto të takimeve “zyrtare” me përfaqësues qeveritarë të Hungarisë. Mbase për të treguar se sa i rëndësishëm është lideri i partisë më të madhe opozitare, sa çmohet në një vend të BE-së.
Çfarëdo fotoje të dërgonte prej Budapesti, pak kush i besonte se nuk ka shkuar të takohet me liderin e vet që e bëri lider.
Por, gjërat kanë lëvizur dhe pas shumë spekulimeve, Mickoski është ndier i rrezikuar nga ish-lideri, ndaj dhe ka hyrë një krimb dyshimi në mes, duke mos u trajtuar më si ish-i zgjedhuri i ish-liderit për ta trashëgimtar të tij. Te ai kanë depërtuar zëra se mos ndoshta po kthehet e po ia merr partinë. Nëse kjo do të dukej tepër ambicioze, frika është se mos po ia rrëmben një pjesë të mirë të partisë dhe po ia rrënon projektin politik që ai për këto vite ka nisur ta ndërtojë. Micskoski është pozicionuar fortë në “barrikadën” kundër ndryshimeve kushtetuese, që janë çelësi për BE, dhe kushdoqoftë që ia prishë këtë pozicion, tash është bërë armik i tij. Edhe ish’lideri i tij.
E gjithë kjo do të dukej një luftë normale për ekzistencë, sepse, edhe pse dikush ta dhuron një pozicion, pasi të mësohesh me të, vështirë të heqësh dorë kur sheh se dikush mund të ta lëkundë.
Nëse të gjitha duken normale në një situatë jo normale çfarë gjendej Mickoski në relacionin Shkup-Budapest, tash pas plasjes së sherrit me ish-liderin, shtrohet logjikshëm pyetja: ç’ishte kjo vizitë e tij në Budapest? Për herë të parë mediat nuk spekuluan se u takua me Gruevskin, por as ai u përpoq të mëshefë diçka: vizita e tij ishte për të takuar kryeministrin hungarez, Orban!
Pirolla i qoftë një lideri partie, që pritet nga një kryeministër i një shteti të BE-së. Kjo më së miri do të legjitimonte synimin drejt BE-së dhe do t’i hidhte poshtë të gjitha ato dyshime që ndaj Mickoskit janë ngritur se po e pengon vendin e vet në rrugën drejt BE-së. Logjika e thotë se ai nga ky takim do të ketë kërkuar përkrahje për të debllokuar pengesat në këtë rrugë.
Kjo do të ishte logjika, që bie ndesh me realitetin.
Nuk duhet shumë mend, sepse e gjithë BE-ja kryeministrin hungarez e trajton si “dele e zezë” e BE-së. Ka vite e vite që ka një disonancë midis Orbanit dhe BE-së, midis politikave të Orbanit dhe atyre të BE-së, midis orientimeve gjeopolitike të Orbanit dhe BE-së. E fundit dhe më e qarta, është edhe dallimet esenciale midis BE-së dhe tij lidhur me raportet me Rusinë pas agresionit rus në Ukrainë. Është një dallim i madh, kur një vend i BE-së, që gëzon të gjitha privilegjet dhe përfitimet nga anëtarësimi në BE, në pikëpamje gjeostrategjike shikon nga Lindja, nga Rusia.
Ndaj dhe këtë vizitë kaq papritur e Mickoskit në Budapest, kur më po shihet qartë se i ka prishur punët me Gruevskin, hap shumë dilema. Sepse, ai realizoi takim hiq më pak, po me kryeministrin Orban dhe hiq më larg, po fill pasi u kthye ky nga takimi me Putinin!
Shtrohen shumë dilema që sigurisht publiku ynë kërkon përgjigje. Çfarë kërkoi Mickoski pikërisht në këtë moment të takohet me Orbanin? Të marrë përkrahje për procesin eurointegrues të Maqedonisë, apo diçka tjetër? Çfarë mund ta këshillojë ose çka mund t’i sugjerojë Orbani pas takimit me Putinin liderin e VMRO-DPMNE-së se si ta ndjekë “rrugën evropiane”?
Dikush mund të thotë se gjithçka është rastësi dhe se s’kanë lidhje konteksti i takimit të Orbanit me Putinin, por shumë rastësi duken paksa të tepërta, ndaj dhe publiku pret përgjigje nga Mickoski ç’kërkoi në Budapest pikërisht në këtë kohë dhe çka ka qenë aq me rëndësi që të realizohet kjo vizitë.
A është në pyetje ndonjë orientim gjeopolitik i ri që duhet ta ndjekë? Dikush me ironi do të kishte thënë: po, edhe Mickoski është për Evropë, por për atë që sheh nga Lindja?!