
Derisa ka nisur funerali i liderit opozitar rus, Alexei Navalny, në një kishë në Moskë, faqet në rrjetet sociale të ekipit të tij, janë mbushur me mesazhe ku shkruhet “Putini e ka vrarë Alexei Navalnyn”.
Ekipi i Navalnyt ka bërë të ditur se nuk e dinë se çka po ndodh brenda kishës ku do të mbahet ceremonia e funeralit të tij, tash kur trupi i liderit opozitar është futur brenda.
Arkivoli i Navalnyt mbërrin te kisha
Kamioni që po bart arkivolin e liderit opozitar rus, Alexei Navalny, ka mbërritur te kisha ku do të mbahet ceremonia e funeralit.
“Ju nuk kishit frikë dhe ne nuk kemi frikë”, thërrisnin njerëzit, ndërsa arkivoli është futur brenda kishës për shërbimin mortor.
Ekipi i Navalnyt ka thënë se po kanë probleme me qasjen në internet në pjesën ku do të mbahet ceremonia.
Forca të shtuara policore te kisha ku do të mbahet funerali i Navalnyt
Një prezencë e shtuar e policisë është parë të premten rreth kishës në juglindje të Moskës, ku do të zhvillohet ceremonia e varrimit të liderit opozitar rus, Alexei Navalny.
Prezencë e madhe është parë edhe afër varrezës ku do bëhet varrimi.
Navalny vdiq më 16 shkurt në burgun ku po mbahej. Familja e Navalnyt ka akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin, për vrasjen e tij. Mirëpo Kremlini e ka mohuar këtë, derisa autoritetet ruse e kanë detyruar nënën e Navalnyt që ta nënshkruajë certifikatën e vdekjes, në të cilën thuhej se ai ka vdekur nga shkaqe natyrore.
Njerëzit fillojnë të mblidhen për funeralin e Navalnyt
Njerëzit kanë filluar të mblidhen të enjten jashtë Kishës në Maryino, ku gjatë ditës do të zhvillohet ceremonia mortore e Alexei Navalnyt.
Navalny vdiq më 16 shkurt në burgun rus brenda Rrethit Arktik. Ai po vuante një dënim të gjatë për akuza të motivuara politikisht, raportoi BBC.
Ekipi i tij thotë se ata vazhdojnë të përballen me vështirësi në organizimin e ceremonisë së lamtumirës.
Zëdhënësja e tij, Kira Yarmysh ka thënë se ata nuk kanë mundur të gjejnë një makinë për ta çuar trupin në kishë.
Ceremonia e lamtumirës do të kryhet në mëngjes, e ndjekur nga shërbimi i varrimit në orën 14:00 dhe varrimi në orën 16:00.