Sezoni 2023/24 i NBA ka nisur të martën pas mesnate me dy ndeshje tejet interesante, ku kampioni në fuqi, Denver Nuggets, e nisi me fitore ndaj Los Angeles Lakers, ndërsa Golden State Warriors u mposht në shtëpi nga Phoenix Suns.
Nuggets triumfoi 119:107 ndaj Lakersit, pas një çereku të parë fantastik që e përfundoi me epërsi +14.
Në vazhdim, pavarësisht se humbi dy çerekët e radhës, Nuggets arriti ta ruante epërsinë dhe në fund mori fitoren.
Ylli i ndeshjes ishte Nikola Jokiq, që arriti “triple-doublen” e parë të sezonit me 29 pikë, 13 kërcime e 11 asistime. Jamal Murray shtoi 21 pikë e Caldwell-Pope 20 sosh.
Te Lakers, LeBron James luajti me 21 pikë, tetë kërcime e pesë asistime. Taurean Prince dhe Anthony Davis shtuan 18 respektivisht 17 pikë.
Ndërkohë, Suns triumfuan 108:104 në udhëtim te Warriorsi pas një ndeshje dramatike.
Çereku i parë përfundoi baras, ndërsa në çerekun e dytë, mysafirët shkuan në +15, para se në çerekun e tretë Warriorsi të kthehej +6. Në çerekun vendimtar, Suns fituan me dhjetë pikë epërsi.
Devin Booker shkëlqeu me 32 pikë, ndërsa Kevin Durant arriti “double-double” me 18 pikë e 10 kërcime. Te Suns, boshnjaku Jusuf Nurkiq arriti po ashtu “double-double” me 14 pikë e 14 kërcime.
Steph Curry te Warriors pati 27 pikë, teksa Klay Thompson shtoi 15 pikë.