09/12/2024

Sot në moshën 66 vjeçare ndërroi jetë veprimtari i njohur dhe profesori universitar, prof.dr.Nazmi Maliqi.

Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur familjarë dhe miq, ndërsa varrimi do bëhet sot pasdite në varrezat e qytetit të Kumanovës.

Prof.Dr. Nazmi Maliqi ka lindur më 18 mars 1957 në fshatin Stançiq komuna e Gjilanit. Prej shtatorit të vitit 1962, si fëmi, me familjen e tij u shpërngulën në Kumanovë.

Shkollimin fillor dhe të mesëm e përfundoi në Kumanovë. Më pas studimet e larta i filloi më 1976/1977 në Akademinë Ushtarake në Beograd dhe i ka mbaruar në vitin 1980, në Fakultetin e shkencave shoqërore në degën e Mbrojtjes në Universitetin e Beogradit.

Studimet posdiplomike në lëmine e mbrojtjes dhe studimeve paqësore Nazmi Maliqi i filloi në dhjetor të vitit 1994 në Fakultetin Filozofik në Shkup. Tezën e magjistraturës “Toleranca politike si faktor i paqes dhe i sigurisë” e mbrojti më 07 korrik 1999.

Hulumtimet e doktoraturës i filloi më 17 dhjetor të vitit 2001, në Institutin për Hulumtime Sociologjike dhe Juridke – Politike në Shkup. Tezën e doktoraturës “Afrimi i Maqedonisë në NATO”, e mbrojti më 04 tetor të vitit 2003, ku edhe fitoi titullin e Doktorit të shkencave politike.

Karriera profesionale dhe veprimtaria politike

Karrierën e tij profesionale e filloi pas diplomimit në shtator të vitit 1981, ku punësohet profesorë në shkollat e mesme të Kumanovës.

Punën e profesorit e vazhdon deri në 17 shtator të vitit 1987, kur edhe u diferencua dhe përjashtua nga procesi arsimor me shumë profesorë tjerë shqiptarë nga pushteti i atëhershëm, pasi që e kundërshtoi modelin e paraleleve të përziera, ku mësimi duhej të zhvillohej vetëm në gjuhën maqedonase.

Pas këtij diferencimi, për të siguruar ekzistencën familjare, Nazmi Maliqi prej 14 qershorit 1988 gjer në 13 prill të vitit 1993 punoi dhe jetoi në Matesburg, në Burgelland të Austria.

Ai njihet si një nga themeltarët e Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD), duke qenë si kandidat për deputet në zgjedhjet e para.

Më vonë në prill 1993 ai emërohet në postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes në Qeverinë e Maqedonisë, duke ushtruar këtë detyrë deri më 25 nëntor 1994.

Në mandatin parlamentar 1994 -1998 u zgjodh deputet në Parlamentin e Maqedonisë nga radhët e PPD-së në zonën e Karshiakës në Shkup. Ishte anëtar i Komisionit parlamentar për mbrojtje dhe politik të brendshme.

Në vitet 1996 – 1998, ishte deputet në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, si përfaqësues i Delegacionit parlamentar të Republikës së Maqedonisë.

Në Kongresin e tretë të Partisë për Prosperitet demokratik, të mbajtur në Tetovë me 20 mars 1999, u zgjodh Nënkryetar i Partisë. Këtë funksion e ushtroi deri në prill të vitit 2000. Ndërsa nga viti 2001 nuk merr asnjë angazhim politik dhe fokusohet në angazhimin akademik.

Prej tetorit të vitit 2002, Nazmi Maliqi punësohet në cilësinë e ligjëruesit në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë në lëndët: “Studime Evropiane”, “Sistemet e informacionit publik dhe privat” dhe në lëndën të “Drejtat e njeriut dhe roli i shërbimit publik”.

Dr. Nazmi Maliqi ishte bashkëpunëtor i jashtëm shkencor në Institutin për Hulumtime Sociologjike dhe Juridike – Politike në Shkup, në Fakultetin Filozofik në Shkup – Instituti për studime mbi paqen në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, Shkup si dhe profesor viziting në vitin akademik 2005/2006, në Universitetin Evropian në Shkup.

Prej janarit 2003, Nazmi Maliqi, ishte kryetar i Shoqatës joqeveritare “Unioni i Intelengjencies shqipatare në Maqedoni”

Poashtu edhe Kryeredaktor i revistës për shkencat shoqërore “Vizione”, që filloi të botohet në Shkup prej shtatorit të vitit 2004.

Drejtor i Qendrës për Hulumtime të Administratës publike dhe anëtar i Senatit të UEJL- Tetovë.

Prej tetorit të vitit 1993 deri më prill të vitit 1995, Nazmi Maliqi ushtroi postin e kryetarit të ekipit Fudbollistik “Bashkimi” nga Kumanova, në periudhë ku edhe ky ekip u kualifikua në ligën e dytë Qendrore të fudbollit në RMV-së.

Ai ishte pjesmarrës në shumë konferenca ndërkombëtare, projekte hulumuese shkencore, si dhe botoi disa vepra shkencore.