Vetëm dy ditë para seancës parlamentare për nisjen e debatit mbi ndryshimet kushtetuese, shefi i diplomacisë Bujar Osmani ka bërë thirje për unitet politik për ndryshimin e kushtetutës. Prej këtij vendimi sipas tij, varet e ardhmja e vendit dhe e gjeneratave të reja, për çka kërkon fokusim dhe të rrëmbehet momenti.
“Për muaj të tërë, miq dhe ministra nga e gjithë bota erdhën për të na inkurajuar me këshilla miqësore që të fokusohemi në këtë sfidë dhe ta kapërcejmë këtë pengesë të fundit formale para hapjes së horizontit të madh të kapitujve të negociatave.
Andaj, ju ftoj që mos të lejojmë tani kur jemi në finale të defokusohemi, ç’orientohemi, por të ruajmë kursin dhe përgjegjësinë prindërore para gjeneratave të ardhshme. Tani është momenti”-shkruan në fejsbuk ministri Osmani, përcjell PRESSonline.al
Ndërkohë vijnë mesazhet edhe nga Sofja. Nënkryetarja e parties bullgare GERB Ekaterina Zaharieva, ka positur deputetët e vendit që t’i miratojnë ndryshimet kushtetuese, në mënyrë që të zhbllokojnë rrugën eurointegruese”
“Ndryshimi i Kushtetutës të Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk është punë e madhe. Bullgarët janë pjesë e realitetit në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kjo duhet të pranohet… Fqinjët dhe miqtë maqedonas, të mos kenë frikë nga ndryshimet”- ka thënë për agjencinë mediatike bullgare BGNES, ish ministrja e jashtme, Zaharieva, përcjell PRESSonline.al
Për profesorin universitar Bashkim Selmani, për nga aspekti formal, kjo çështje s’ka pengesa, por rëndohet nga vullneti politik i partive politike, me theks të veçantë, nga opozita maqedonase.
Megjithatë Selmani shpreson që procedura t’i gjejë deputetët me disponim politik. Për taborin politk shqiptar edhe përkundër ndasive të fundit, Selamani thotë se do të jenë konstruktiv në këtë çështe me interes madhor shtetëror.
“Për nga gjendja faktike nuk është proces i komplikuar, mirëpo nga natyra politike dhe përvoja e hidhur e të gjitha proceseve aktuale dhe kokëfortësia e VMRO-së që në kontinuitet ka penguar çdo gjë që ka qenë element shtetëror dhe prioritet për lansimin e Maqedonisë të ashtuquajtur demokratike. Nëse do të ketë element njerëzor, poashtu dhe juridik shpresoj se një procedurë e tillë nuk do të duhet të ketë komplikime apo vështirësi” – ka deklaruar për TVM2, profesori universitar, Bashkim Selmani, përcjell PRESSonline.al
Më 18 gusht kuvendi fillimisht voton rendin e ditës me pikën e vetme për ndryshimet kushtetuese për çka nevojiten 61 vota, me mundësi për debat prej 10 ditë pune, ndërkaq ndryshimet kushtetuese i kalojnë filtrat e kuvendit vetëm nëse sigurohen 2/3 e votave, numra të pasiguruara deri në këto momente. Nëse parlamenti nuk e ka shumicën e nevojshme, procedura nuk mund të vazhdojë.