11/12/2024

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, në një intervistë për gazetën serbe “Politika” ka akuzuar ish-kryeministrin Zoran Zaev, për përndjekje politike dhe korrupsion. Gruevski, i cili është në arrati në Hungari që nga viti 2018, pasi u dënua me dy vite burg për keqpërdorim të detyrës, tha se Zaev ka ndikim mbi prokurori, gjyqtarë dhe media dhe se është i përkushtuar për ta persekutuar atë dhe ish bashkëpunëtorët e tij.

Gruevski gjithashtu e akuzon Zaevin se e ka rritur pasurinë e tij nëpërmjet aktiviteteve të pandershme dhe se nuk ka respektuar marrëveshjen e Prespës me Greqinë për ndryshimin e emrit të vendit.

“Përndjekja ime politike vazhdon me të njëjtin intensitet si në të kaluarën gjashtë apo shtatë vite më parë. Ndikimi më i madh në prokurori, drejtësi, media është Zoran Zaev, i cili është i përkushtuar pa u lodhur për të më persekutuar mua dhe popullin tim si dhe ish bashkëpunëtorët. Zaev u angazhua me gjyqtarë, prokurorë dhe media, herë duke ushtruar ndikim politik personal, herë financiar, në të njëjtën kohë duke kontrolluar një pjesë të madhe të zyrtarëve dhe deputetëve të LSDM-së. Përveç përkushtimit të tij obsesiv për çështjen time, ai është i përkushtuar ndaj investimit të tij të pandershëm me të njëjtën energji, paratë e fituara dhe rritjen e pasurisë së tij nëpërmjet bizneseve që ai kontrollon në Maqedoni – në sektorin e energjisë, prodhimin e marijuanës, ndërtim…”, tha Gruevski.

Gruevski thotë se ai nuk ka frikë nga drejtësia, por nga vendosja e saj selektive. Ai shprehet i gatshëm të kthehet në Maqedoni nëse do të ketë një gjyq të drejtë dhe transparent.