19.8 C
Skopje

Një i mbijetuar arriti të shpëtojë gjashtë persona, por jo edhe djalin e tij

Njëri nga të mbijetuarit në aksidentin e djeshëm është edhe Orhan Aliti. Ai së bashku me Lulzim Sulejmanin nga Presheva kanë thyer një xham në pjesën e pasme të autobusit dhe kanë ndihmuar gjashtë personat të tjerë që të shpëtojnë jetën, shkruan BBC, transmeton gazeta.mk.

Menjëherë pas aksidentit të kobshëm, Orhani ka marr në telefon bashkëshorten e tij, e cila jeton në Belgjikë.

Pikërisht Aliti ka lajmëruar autoritetet bullgare se autobusi ka marrë flakë, ndërsa me shumë vështirësi ai ka arritur t’i thyejë disa xhama të pasmë të autobusit dhe të dalë, ka thënë vëllai i tij Samet Aliti.

Pasi u hodh nga xhami i autobusit, Orhani theu njërën këmbë. Djali i tij Visari ishte ende në autobus. Ai filloi të bërtasë e t’i thotë djalit të tij: “Hidhu kërce në tokë Visar, kërce”. Fatkeqësisht, ai nuk mori përgjigje nga djali i tij, ai u zhduk në flakët që kapluan autobusin.
Gjendja e Orhanit tashmë është stabile. Ai ende nuk e di se në mesin e viktimave është edhe djali i tij Visari, thotë vëllai i tij.

Historia e Orhanit nxjerr në pah edhe një detaj tjetër – në momentin që ka zbritur nga autobusi që digjej, për pak është kapur nga një makinë që kalonte në autostradë, e cila nuk ndaloi pavarësisht tragjedisë së dukshme që po ndodhte në ato momente.

Tragjedisë i ka shpëtuar edhe 16-vjeçarja Zulejha. Babai i saj, Adnan Jasharovski, tha për BBC se vajza e tij i kishte telefonuar për t’i thënë se i kishte mbijetuar aksidentit fatal. Ai tani ndodhet në Sofje për të qëndruar afër vajzës së tij në spital.

Ajo po qante. Ka pësuar djegie vetëm në duart e saj, por megjithatë është mirë. Ajo nuk tha shumë, qante dhe ishte në shok, tha babai i saj që po qëndronte para në spitalit të Sofjes.

Burimi: BBC