01/12/2024

Ditë më parë Arben Taravari tregoi se i është propozuar nga partitë opozitare shqiptare që të bëhet kandidat presidencial, ndërkaq ai e ka refuzuar.

Dakord, publiku e mori vesh, se Taravari nuk dëshiron diçka që nuk mund të bëhet. Por, këtë deklaratë si duket nuk e ka dëgjuar Kasami, i cili të njëjtën gjë po e përsërit në një intervistë për gazetën Lajm ku thotë se kandidati ideal për këtë post, është kryetari i ASH-së Arben Taravari.

A është kjo për t’i ndihmuar liderit të ASH-së me situatën e krijuar në parti pas vendimit të tij për t’iu bashkëngjitur bllokut opozitar, kjo mund të shihet edhe nga fjalët që i thotë Kasami.

“…unë uroj që sa më shpejtë të pastrohen të gjitha dilemat brenda Aleancës dhe besoj fuqishëm që doktor Arben Taravari mund të jetë një kandidat shumë i mirë për të qenë kandidat për president i jo vetëm i opozitës shqiptare, por një kandidat që unë besoj se do të ishte i pranueshëm edhe për gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe unë besoj që Maqadonia e Veriut është e gatshme për një president shqiptar me mandat të plotë politik, jo si simbolikat të cilat i ka ofruar BDI-ja për këto 20 vite të bashkëqeverisjes, ku kulminacionin e arriti në këtë qeveri teknike ku kemi kryeministër shqiptar, gjysmën e qeverisë shqiptare por shqiptarët janë më të diskriminuar se kurrë”, ka deklaruar Kasami për gazetën LAJM ku flet për kandidaturën e Arben Taravarit për kryetar shteti.

Edhe nga fjalët e tij shihet se bën aluzion me “kryeministrin shqiptar” të BDI-së, duke dashur ta minimizojë me vlerësimet sikur kurrë më keq nuk kanë qenë shqiptarët, që, po të ishte e vërtetë, do të kenë dhënë “kontribut” edhe Lëvizja Besa dhe ASH-ja duke ditur se kanë marrë pjesë po në këtë qeveri!

Ndërkaq Kasami dhe Taravari, ndryshe nga BDI-ja që e premtoi dhe realizoi “kryeministrin shqiptar” ndoshta do të duhej të na tregonin vallë si do t’i çonin votuesit e VMRO-së të votojnë për një kandidat të përbashkët shqiptar, sepse vetëm me votat shqiptare, vetëm mund të tregojnë përralla për naivët! /indeks.mk