-1.2 C
Skopje

Opozita parlamentare e vlerësohet si e dobët – strategjia për t’i pritur gabimet e Qeverisë e gabuar

Njohësit e çështjeve politike në vend,
e konsiderojnë si të dobët opozitën në Kosovë, të cilët sipas tyre nuk po
arrijnë t’i shpërfaqin dështimet e Qeverisë, raporton Ekonomia Online.

Strategjia e tyre për t’i pritur
gabimet e kryeministrit Albin Kurti po vlerësohet si e gabueshme nga analistët,
teksa thonë se kjo po i bën këto parti sikur nuk po duan ta marrin pushtetin.

Analisti politik, Fidan Ukaj, thotë
për Ekonomia Online, se duke parë çdo ditë skandale të Qeverisë, opozita nuk po
arrin t’i shpërfaq në opinion.

Thotë se iu mungon organizimi dhe se
po funksionojnë si në heshtje.

“Edhe pse zotëri Kurti e ka një
shumicë që nuk e ka pasur asnjë parti politike që nga paslufta, mirëpo punët e
Qeverisë nuk po shkojnë ashtu siç duhej, mirëpo kemi parë edhe një opozitë të
dobët dhe jo shumë e përqendruar në temat ose në dështimet e Qeverisë, mirëpo
siç duket e kanë bërë një marrëveshje në heshtje që Qeveria të bëjë gabime, dhe
në një moment të caktuar të ngritën dhe ta rrëzojnë, ani pse me numra nuk kanë
mundësi, mirëpo unë e shoh një opozitë të dobët dhe jo shumë të organizuar dhe
e shoh të dobët edhe nga ana e promovimit të dështimit të Qeverisë”, thotë ai.

“Po ne kemi çdo ditë skandale të
Qeverisë, dështime, ngecje e mospunë të saj, dhe kemi parë deklarata të
opozitës një herë në muaj. Pos analistëve politikë që i shohim nëpër studio,
nuk shohim nga opozita asnjë konferencë apo debate të ndryshme, duke prezantuar
dështime dhe mosarritjet e Qeverisë së Kosovës”, u shpreh tutje ai.

E ish-zëvendësministrja, Magbule
Shkodra, thotë se bashkëpunimi pozitë e opozitë duhet të shtohet, e sidomos sa
i përket dialogut me Serbinë. Ajo thotë se partitë në opozitë nuk po shpërfaqin
propozime e as alternativa për të mirën e vendit.

“Të them të drejtën çdo kush që merr
ftesë nga një palë, unë mendoj se duhet t’i përgjigjen ftesës sepse është më
mirë të ulësh në tavolinë dhe ta kuptosh propozimin dhe diskutimin, dhe pastaj
të bësh konkluza e tua dhe të bësh të ditura për opinion se çka ndodhi. Nuk
pajtoj me askënd që nuk dëshirojnë të ulën në tavolinë, pavarësisht arsyetimeve
se janë diskutuar këto marrëveshje apo jo, por që duhet të ulën, ndonëse e
konsideroj se kryeministri Kurti këtë ftesë e kishte paksa të vonuar, do duhej
të bëhej shumë më herët, mirëpo ata që janë paraqitur në këtë takim, i përgëzoj”,
thotë ajo.

Kritika ka edhe për partinë në
pushtet, pasi sipas saj më shumë po mendon për zgjedhjet e ardhshme sesa për të
mirë të qytetarëve.

“Po unë mendoj që një Qeveri e cila me të vërtetë do të mendonte për të mirën e qytetarëve e jo të mendojë vetëm zgjedhje të ardhshme sa po humb e sa po fiton, por do duhej të ishte shumë konstruktive dhe t’i ftojë opozitën në konsulta pothuajse në të gjitha temat që do të mund të jepnin kontribut”, u shpreh ajo.