0.8 C
Skopje

Osmani i kërkon ndihmë homologut slloven për anëtarësimin e Kosovës në BE e NATO dhe për heqjen e vizave

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pas takimit me homologun e saj slloven, Borut Pahor, i ka kërkuar ndihmë atij për anëtarësimin e Kosovës në BE, NATO dhe për liberalizim e vizave.Osmani i kërkoi Pahorit edhe një shtytje të fundit për finalizimin e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Gjersa po i afrohemi finalizimit të procesit të gjatë e të padrejtë të liberalizimit të vizave për Kosovën, dua t’iu falënderojë për përkushtimin tuaj dhe t’iu kërkojë edhe një herë që t’i jepni një shtytje të fundit këtij procesi në mënyrë që edhe qytetarët e Kosovës të kenë mundësi ta vizitojnë vendin tuaj të bukur por edhe të gjithë Evropën”, është shprehur Osmani.

Tutje, e para e shtetit i kërkoi përkrahje Sllovenisë edhe në anëtarësimin në BE e në NATo, teksa shtoi se anëtarësimi i Kosovës në këto struktura mbeten përkushtim i paluhatur i institucioneve të vendit.

“Dyert e BE-së dhe NATO-s jo vetëm që duhet të jenë të hapura që vërtetë i përfaqësojnë dhe frymojnë vlerat mbi të cilat është e ndërtuar Aleanca Veri-atlantike por është koha e fundit që të kuptohet qartë se anëtarësimi në këto struktura është garanca e duhur për paqe, siguri dhe zhvillim në kontinentin tonë e përtej”, është shprehur Osmani.

Më tej, Osmani tha se Sllovenia mbetet e përkushtuar për të ofruar stabilitet të qëndrueshëm në Ballkan, teksa tha se stabiliteti arrihet vetëm me njohjen reciproke mes Kosovës e Serbisë.

Pahor: Të mbahet premtimi, të hiqen vizat për Kosovën

Presidenti slloven, Borut Pahor, ka kërkuar që Bashkimi Evropian të mbajë premtimet duke hequr vizat për Kosovën.

Pahor në konferencë për media gjatë vizitës në Prishtinë, tregoi për temat që ka biseduar me liderët e rajonit.

“Siç thashë gjatë bisedës edhe me Vuçiqin, për atë që shtetet që kanë statusin e vendeve kandidate t’iu mundësohen sa më shpejtë negociatatat. Bosnjës t’i ofrohet statusi i kandidates dhe në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën që të plotësohen premtimet”.

“Mendoj po ashtu që temë e diskutimeve do të jetë gjithashtu edhe kriza energjetike e dimrit që na pret dhe shpresoj që ne do të arrijmë një marrëveshje të përbashkët në samitin e Bordo Brionit dhe do t’i dërgojmë mesazh të përbashkët BE-së që të mos harrohen shtetet e Ballkanit Perëndimor në zgjedhjen e kësaj krize”, tha Pahor.

Pahor, mes tjerash, foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

“Duhet të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë që t’i anashkalojmë deklaratat dhe sjelljet që prishin shkallën e besimit dhe ulin mundësinë që gjejmë një zgjidhje konkludimi më konstruktiv. Nuk bëhet fjalë vetëm për problemin mes Beogradit dhe Prishtinës, por kemi të bëjmë edhe me probleme tjera. Të them se në vitet e fundit si problem kryesor është përmendur ngecja në negociata. Por unë jam i gëzuar për një rezultat të pjesshëm të dialogut në Bruksel”.

Tutje, presidenti slloven tha se në Samitin e Bordo Brionit në Slloveni do të bisedohet për shumë çështje dhe beson se do të arrihet një konsensus.

“Më 12 shtator në Slloveni dhe bashkë do të bisedojmë për pikat e hapura të cilat do të jenë në agjendën e këtij takimi dhe ne të identifikojmë se ekziston mundësia që të arrijmë një konsensus dhe më këtë konsensus do të mund të vendime apo deklarata”.

“Jam i kënaqur që të gjithë drejtuesit e të gjitha shteteve na kanë njoftuar se të hënën do marrin pjesë në takim. Unë jam i vetëdijshëm se mund të arrihet vendime ose deklarata e përbashkët me konsensus”, tha Pahor.

LEXO EDHE: