09/12/2024

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së punës në Spanjë, zhvilloi takim me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe Nënkryetar i Komisionit Europian, Jozeph Borrell, njoftojnë nga MPJ.

Në fokus të bisedimeve, thuhet në njoftimin e MPJ-së, ishte dosja europiane e Maqedonisë së Veriut, me ç’rast Osmani e informoi shefin e diplomacisë europiane për rrjedhën e debatit parlamentar me qëllim miratimin e ndryshimeve kushtetuese, si obligim i ndërmarrë në rrugën e pandërprerë të vendit drejt anëtarësimit të plotë në BE.

“Me miratimin e ndryshimeve kushtetuese, Maqedonia e Veriut dëshmon se është e gatshme për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe pret nga Unioni që negociatat për anëtarësim të përfundojnë deri në fund të vitit 2030. Prandaj, as vendi dhe as Unioni nuk duhet të lejojnë ndonjë kthim të mundshëm mbrapa nga ky qëllim”, tha Osmani.

Duke e siguruar Borrellin për përpjekjet maksimale të Qeverisë për europianizimin e të gjithë sistemit politik përmes reformave të domosdoshme tashmë të përcaktuara, të pasqyruara në raportet pozitive të Komisionit Europian, Osmani e përshëndeti Planin e ri Zhvillimor të Komisionit Europian si përgjigje në kohë ndaj kërkesës sonë për më shumë integrim dhe përfitime për qytetarët tanë në rrugën drejt anëtarësimit.

“Më shumë integrim përpara vetë anëtarësimit në BE është në interesin tonë, por edhe në interesin e Unionit: Partner më i zhvilluar sot, aleat më i dobishëm nesër”, theksoi Osmani në takimin me Borrellin.