11/12/2024

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, nga Nju Jorku ka marrë pjesë drejtpërdrejt përmes video telekonferencës në takimin e Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë në format të zgjeruar me pjesëmarrjen e ministrave dhe përfaqësuesve të tjerë të lartë të vendeve pjesëmarrëse me rastin e dyvjetorit të agresionit aktual të Federatës Ruse kundër Ukrainës.

“Kur Maqedonia e Veriut mori timonin e OSBE-së në janar të vitit të kaluar, të gjithë shpresonim se deri në fund të vitit 2023, agresioni ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës do të përfundonte. Këto shpresa u zhdukën nga realiteti i zymtë i luftës aktive me ritëm dhe shtrirje të frikshme”, tha Osmani.

Osmani, me qëndrim të qartë se kjo luftë duhet të ndalet, shtoi gjithashtu se lufta cenon rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, dëmton besimin, dialogun dhe kapacitetin tonë për realizim.

Gjithashtu, Osmani theksoi se Maqedonia e Veriut, tani, si partnere e Treshes së Maltës dhe Finlandës, vazhdon të bëjë thirrje për respektimin e vlerave dhe angazhimeve të OSBE-së, si dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, të shkelura rëndë nga agresioni rus.

Osmani i bëri thirrje OSBE-së që të vazhdojë të ekspozojë Rusinë dhe ta dënojë agresionin e saj të paligjshëm dhe të pajustifikuar, të kërkojë ndërprerjen e menjëhershme të tij dhe të thërrasë përgjegjësit për llogari.

“Kemi për detyrë të bashkohemi dhe në mënyrë efektive ta mbështesim luftën e të gjithë atyre që mbrojnë lirinë, demokracinë dhe drejtësinë. Duhet të forcojmë qëndrueshmërinë tonë dhe të përgjigjemi me vendosmëri ndaj shkeljeve masive të parimeve dhe vlerave të OSBE-së”, tha Osmani, duke shtuar se Maqedonia e Veriut solidarizohet me popullin e Ukrainës, guximin dhe vendosmërinë e popullit ukrainas për të mbrojtur vendin dhe lirinë.