22/07/2024

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot dhe nesër do të qëndrojë për vizitë zyrtare dyditore në Republikën e Indisë.
Përveç takimit me Ministrin e Punëve të Jashtme të Indisë, Subramanjam Xhaishankar, Osmani do të takohet edhe me nënkryetarin e shtetit, Xhagdip Dhankar, zëvendës këshilltarin për siguri kombëtare të kryeministrit, Shri Vikram Misri, si dhe me zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë, bëri të ditur Ministria e Punëve të Jashtme.
Qëllimi i vizitës është avancimi i marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Indisë, me theks të veçantë në mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe lidhjeve biznesore. Njëherazi, do të shkëmbehen mendime për situatën aktuale në kontinentin evropian dhe Indo-Paqësorin, prioritetet e politikës së jashtme të të dyja vendeve, si dhe çështjet aktuale ndërkombëtare dhe temat rajonale.
Gjatë qëndrimit në Indi, Osmani do ta vizitojë Kalkutën, ku do të bëjë homazhe për jetën dhe veprën e Nënë Terezës. Në të njëjtën kohë, në Kalkutë, Osmani do të takohet me përfaqësues të lartë të shtetit të Bengalit Perëndimor, si dhe me Kryetaren e Samitit të Investimeve të Bengalit Perëndimor, Vandana Jadav.